Gabim strategjik e kanë cilwsuar 10 ish-ministra të jashtëm refuzimin që i bëri Bashkimi Evropian Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Nëpërmjet një letre ata paralajmërojnë trazira të mundshme në këto dy vende nëse Bashkimi Evropian vazhdon ta shohë si barrë dhe jo si politikë të përgjegjshme procesin e pranimit të Ballkanit Perëndimor.
“Kujdes me hapin e rradhës” e këshillojnë Bashkimin Evropian 10 ish-ministra të jashtëm midis të cilëve edhe ish-kreu i diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati.
“Në jug të Bashkimit Evropian po formohet një hark i paqëndrueshmërisë gjeopolitike dhe kjo nuk duhet të lejohet të ndodhë”,shkruhet në letrën që ish ministrat i kanë dërguar Bashkimit Evropian ku nënvizojnë se:
“Kundërshtimi këmbëngulës ndaj hapjes së bisedimeve të pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, e ka dobësuar ndikimin e mbetur të BE-së në pragun e vet, duke vënë në rrezik aftësinë e saj për të farkëtuar zhvillime strategjike e stabilitet në Evropën Juglindore”.
“Ky është një gabim strategjik që ndihmon në konsolidimin e status quo-së në Ballkanin Perëndimor dhe të inercisë së BE-së në një hartë gjeopolitike gjithnjë e më të rrëmujshme. Detyra e Bashkimit Evropian është të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë e Evropës Juglindore. Prandaj, procesi i pranimit të Ballkanit Perëndimor në BE duhet të jetë një politikë e përgjegjshme dhe jo të konsiderohet si barrë.”
Veç kësaj, kundërshtimi për të filluar bisedimet e pranimit me vendet e lartpërmendura minon autoritetin dhe besueshmërinë e BE-së duke prodhuar edhe trazira të mundshme në dy vendet e refuzuara – vënë në dukje 10 ish ministrat e jashtëm.
“Kjo është një shenjë paralajmëruese për trazira të mundshme në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, të cilat kanë besuar për një kohë të gjatë te mbështetja e BE-së. Kjo minon procesin e bisedimeve ndërmjet Serbisë e Kosovës dhe fuqizon forcat centrifugale në Bosnjë e Hercegovinë.”
Mundësi për të shmangur këtë situatë është Samiti i rradhës në Zagreb, ku sipas ish ministrave të jashtëm Bashkimi Evropian duhet të paraqesë instrumente të reja për të konsoliduar rrugën e pranimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Nënshkruesit e lëtrës dërguar Bashkimit Evropian janë ish ministrat e punëve të Jashtme të Malit të Zi, Gjermanisë, Kroacisë,Maqedonisë së Veriut, Greqisë, Austrisë, Qipros, Shqipërisë, Bullgarisë, dhe ish ministrit të jashtëm të Republikës Federative të Jugosllavisë./abcnews.al