Ish-ministrat e Brendshëm Noka-Rama: Shteti ka humbur betejën morale me krimin

schedule14:47 - 21 Janar, 2020

schedule 14:47 - 21 Janar, 2020

Janari i 2020 ka nisur dhe vijon të jetë i përgjakshëm, ku ngjarjet kriminale të eleminimeve mafioze, grabitjeve me dhunë dhe krimit në familje kanë pasuar njëra-tjetrën.

Sipas ish-ministrave të Brendshëm, Flamur Noka dhe Luan Rama gjendja e kriminalitetit është e lidhur ngushtë me qasjen e shtetit por edhe me aftësitë profesioanale që Policia e Shtetit ka për të zbardhur këto ngjarje. Noka kujton se çfarë e frenoi krimin në vitin 2005.

 “Çështja e luftës kundër kriminalitetit në përgjithësi, është çështje e vullnetit politik. Ishte një vullnet politik në vitin 2005 që bëri që të gjithë bosat e krimit të organizuar të ishin prapa hekurave. Ky është vullneti politik, sot nuk egziston dhe ja ku jemi”, tha Noka.

Luan Rama përgjegjësinë nuk e sheh te Policia e Shtetit më shumë sesa te beteja e humbur e qeversië për të treguar se është e aftë të përballet me krimin.

  “Qeveria moralisht e ka humbur betejën me krimin. Duhet vrarë vatra që prodhon këtë zinxhir krimesh të njëpasnjëshme. Për të krijuar një impakt tjetër të qasjes së lirisë së qytetarëve ndryshimi është i domosdoshëm”, tha Luan Rama.

Lirimi i individëve me të kaluar kriminale, të dënuar me burgime të përjetshme sipas dy ish-ministrave të Ramës e Nokës ka rrëzuar edhe vetë Reformën në Drejtësi.

“Ishin po këto gjykata që dikur nuk u shkonte mendja të ndërmerrnin hapa të tilla. Pse sot të gjithë gjyqtarët po lirojnë një nga një krerët e grupeve kriminale në Shqipëri? Përgjigja është e thjeshtë: Nuk ka vullnet politik”, tha Flamur Noka.

“E gjithë ajo çfarë është bërë për të ashtëquajturën sukses të reformës në drejtësi është bllof”, tha më tej Luan Rama.

Gjykata e Krujës liroi me kusht pak kohë më parë një nga ish-anëtarët e “Bandës së Durrësit”, 36- vjeçarin Endrit Dokle, që ishte dënuar me burg përjetë nga gjykata e krimeve të rënda, ndërkohë që pas tij edhe Gjykata e Fierit ka liroi të dënuarin me 25 vite burgim, Sardian Sulejmani./abcnews.al