Ish-kryetari i Nju Jorkut, miliarderi Michael Bloomberg shpalli të dielën kandidaturën për president të SHBA-ve duke thënë se po garon për të mposhtur Donald Trumpin dhe për të rindërtuar Amerikën.
“Ne nuk mund të lejojmë veprimet e pamatura dhe joetike të presidentit Trump të ndodhin edhe në katër vitet e ardhshme”, tha ai përmes një deklarate.
Bloomberg, 77 vjeç, në muajin mars kishte deklaruar se ai nuk do të garojë në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 2020. Nënpresdienti amerikan Joe Biden kryeson sondazhet në mesin e demokratëve të cilët po garojnë për zgjedhjet presidenciale, pasuar nga kryebashkiaku i South Bend, Pete Buttigieg, senatorja Elizabeth Warren dhe Bernie Sanders. Bloomberg ka kundërshtuar planet e senatores Warren për të rritur taksat ndaj të pasurve dhe për programet që ka paraqitur për kujdesin shëndetësor, por edhe për shkollimin falas. Hyrja e Bloomberg-ut në garë, vetëm 10 javë para fillimit të zgjedhjeve paraprake, reflekton shqetësimin e tij se lista aktuale e kandidatëve nuk është e pozicionuar mirë për të mposhtur presidentin Trump.
Investimet masive të Bloombergut në çështjet me përparësi për demokratët si ndryshimet klimatike dhe kontrolli i armëve të mbështetura nga pasuria e tij personale, mund ta bëjnë atë një kandidat të fuqishëm. Ai tashmë ka rezervuar më shumë se 30 milion dollarë në reklama televizive nëpër disa shtete, megjithëse nuk do të marrë pjesë në katër zgjedhjet e para paraprake./abcnews.al