Ish-kryeministri Khan në paraburgim, protestat e dhunshme në Pakistan

schedule16:44 - 10 Maj, 2023

schedule 16:44 - 10 Maj, 2023

Ish-kryeministri i Pakistanit dhe dikur ylli i kriketit, Imran Khan, këtë të mërkurë është dërguar në paraburgim për një rast korrupsioni. Një ditë pas arrestimit të tij kanë shpërthyer trazira të dhunshme në shumë pjesë të vendit, duke bërë që qeveria të detyrohet dhe të nxjerrë në terren ushtrinë në provincën Punjab.

“Gjykata ka miratuar paraburgimin e Imran Khan për një periudhë prej tetë ditësh ,” ka thënë për mediat avokati i ish-kryeministrit, Ali Bukhari, pas seancës me dyer të mbyllura.

Arrestimi i Khan erdhi një ditë pasi ushtria e fuqishme e vendit e kritikoi atë se kishte akuzuar vazhdimisht një oficer të lartë ushtarak për komplot për vrasjen e tij dhe shefin e ushtrisë si përgjegjës për rrëzimin e tij një vit më parë.

Deri më tani mësohet se për shkak të protestave janë arrestuar afro 1000 protestues dhe 130 oficerë policie janë plagosur. Ndërkohë nga incidentet kanë humbur jetën tetë persona.

Urdhri i vendosjes së ushtrisë i lëshuar nga ministria e brendshme nuk specifikonte datën ose kohëzgjatjen e vendosjes së kërkuar nga qeveria provinciale, as numrin e ushtarëve që do të dislokoheshin.

Rrjeti televiziv pakistanez GEO TV raportoi se qeveria lokale e Islamabadit gjithashtu kërkoi vendosjen e ushtrisë për të forcuar sigurinë.

Nga ana e tij, kryeministri britanik Rishi Sunak tha të mërkurën në Parlament se Londra po monitoron nga afër situatën në Pakistan./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!