Ish drejtori I FBI, James Comey është akuzuar nga Departamenti I Drejtesise ne SHBA për dhënien e deklaratave të rreme dhe pengim të drejtësisë. Nëse dënohet, ai mund të përballet me deri në 5 vjet burg.
Comey, i kritikuar shpesh nga Presidenti Donald Trump, akuzohet se gënjeu Kongresin në shtator të vitit 2020, duke mos treguar të vërtetën nëse ai kishte autorizuar rrjedhjen e informacionit të klasifikuar për mediat, në lidhje me hetimin për lidhjet midis Rusisë dhe fushatës presidenciale të Trump në vitin 2016.
Aktakuza vjen disa ditë pasi Trump I bëri thirrje prokurores së përgjithshme Pam Bondi, të ndjekë penalisht kundërshtarët e tij politikë, përfshirë edhe ish drejtorin e FBI.
Trumpi e shkarkoi Comeyn në vitin 2017, në fillim të mandatit të tij të parë dhe që atëherë, ai e ka kritikuar rregullisht për mënyrën se si e kishte udhëhequr hetimin nga FBI që dokumentoi kontaktet mes rusëve dhe fushatës së Trumpit në vitin 2016.
Në një reagim në rrjetet sociale Trump tha se aktakuza ndaj Comey është “drejtësi për amerikën”, ndërsa drejtori aktual i FBI Kash Patel dhe kryeprokurorja Pam Bondi thanë se askush nuk është mbi ligjin.
Ish drejtori i FBI i ka mohuar akuzat, duke thënë se është i pafajshëm dhe është shprehur i gatshëm të përballet në gjyq. Sipas Comey, goditja e fundit ndaj tij ka të bëjë me faktin se ai dhe familja e tij i kanë dalë kundër presidentit amerikan. / abcnews.al /

