Ish komisari i vrarë Artan Cuku, shpallet “Qytetar Nderi” në Kamzë

schedule12:15 - 10 Prill, 2022

schedule 12:15 - 10 Prill, 2022

Nga sot, Pallati i Kulturës së Bashkisë së Kamzës do të mbajë emrin e Dëshmorit të Atdheut Artan Cuku. Ish-komisari i policisë së Shtetit u shpall “qytetar nderi”.

Ai u vra më 8 prill në vitin 2017 në hyrje të pallatit të tij në rrugën e “Kosovarëve”, në Tiranë. Gjatë ceremonisë, i pranishëm ishte Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

“Çdokush është i vetëdijshëm se punonjësi i Policisë sakrifikon shumë nga vetja dhe familja e tij për të mirën e shoqërisë dhe të vendit, madje në jo pak raste rrezikon deri edhe vetveten për të mbrojtur qytetarët, rendin dhe ligjin.

Ndaj, kurrsesi s’duhet t’i harrojmë këto sakrifica të mijëra burrave e grave, djemve e vajzave të përkushtuar të Policisë së Shtetit.”

Ndërsa ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se Dëshmorët e Atdheut janë pjesa më e ndërgjegjshme e vendit dhe se nuk duhet të ketë më policë të vrarë.
Artan Cuku ka mbajtur disa poste të rëndësishme ne Policinë e Shtetit. Për vrasjen e tij u arrestua Mikel Shallari.

Ai u dënua me 10 vite burg dhe iu dha statusi i dëshmitarit të mbrojtur, pasi pranoi të rrëfejë emrin e Bledar Jambellit personi që e pagoi për vrasjen e Cukut.

Sipas hetuesve, Jambelli u hakmor për një arrestim që Cuku i bëri në qytetin e Fierit si vrasës me pagesë në dhjetor të vitit 2012.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!