Ish-klubi i Brojës drejt zhdukjes, “gjigantët” holandezë duhet të shlyejnë plot 18.9 milionë euro

schedule13:56 - 3 Maj, 2024

schedule 13:56 - 3 Maj, 2024

Padyshim është një nga klubet më legjendare, në Holandës, mirëpo janë duke kaluar momentin e tyre më të vështirë, në histori. Me vetëm 2 pikë, pas 31 javëve të kampionatit dhe me një ndëshkim prej 18 pikësh, nga bordi i Eredivisie, Vitesse është e destinuar të bie një kategori më poshtë e akomë më keq, të rrezikojë falimentin total.

Në realitet, “Verdhezinjtë” e Vitesse grumbulluan 20 pikë gjatë turneut, por 18 iu zbritën nga KNVB organi më i lartë i futbollit holandez në mes të prillit për ‘Dështim të përsëritur për të përmbushur kërkesat e rregulloreve të licencimit”, me klubin, që po përballet me një krizë të paprecedentë dhe u ka kërkuar tifozëve të marrin pjesë në një mbledhje fondesh për të shmangur falimentimin.

Objektivi i madh i drejtuesve të Vitesse sot është të mos humbasë “licencën”, që do të nënkuptonte zhdukjen e një klubi historik, teksa kompania që mban aksionet e klubit, nuk mund të parandalojë vetë kolapsin dhe për këtë arsye ka vendosur të nisë mbledhjen e fondeve, ku në  faqen zyrtare të Vitesses shfaqet njoftimi përmes së cilës mund të bëhen donacione.

Tifozët e thjeshtë mund të dhurojnë nga 100 deri në 1000 euro, ndërsa kompani të ndryshme nga 1500 deri në 10 000 euro, teksa sipas raportimeve më të fundit të mediave holandeze, për llogari të klubit janë grumbulluar 800 mijë euro, shifër në të cilën kanë kontribuar lojtarë legjendarë të klubit, si Roy Makaay, Ronald Koeman, Leo Beenhakker dhe Henk ten Cate.

Vitesse duhet të eliminojë një borxh prej 18.9 milionë eurosh dhe të ketë dy javë kohë për të bindur KNVB-në se i përbmush kushtet për të nxjerrë një ekip sezonin e ardhshëm, përndryshe rreziku real do të jetë ai i dështimit, teksa kujtojmë se pjesë e “Verdhezinjve” më herë ka qenë edhe “legjionari” i Kombëtares sonë, Armando Broja. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!