Ish-gjenarali: Kaos total midis radhëve të ushtrisë izraelite në Gaza

schedule18:48 - 24 Shkurt, 2024

schedule 18:48 - 24 Shkurt, 2024

Ish-gjeneralmajori izraelit, Itzhak Brik, ka zbuluar “kaosin total” të provuar nga ushtarët në Rripin e Gazës për sa i përket disponueshmërisë së pajisjeve dhe shërbimeve logjistike të nevojshme për luftë.

Brik, një ish-gjeneral ushtarak, për të përditshmen izraelite Maariv foli për “kaosin total në radhët e ushtrisë izraelite për të cilën nuk flitet në media”.

Ai tha se: “Pajisjet, logjistika, ushqimi dhe gjithçka që nevojitet për të na çuar përpara nuk po funksionojnë, sepse ushtria ua ka besuar gjithçka kompanive private”, tha ai.

“Nuk ka njeri që t’i riparojë tanket menjëherë. Dhjetëra tanke janë bllokuar në Rripin e Gazës në pritje të tërheqjes”, shtoi ai.

Ish-gjenerali izraelit theksoi se “sigurisht, media nuk flet për këtë, por pajisjet nuk funksionojnë”.

Brik po ashtu tha se ai është takuar gjashtë herë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës më 7 tetor.

“Por stafi i tij nuk dëshironte që ai (Netanyahu) të dëgjojë të vërtetën, kështu që e mbajtën larg meje. I thashë se ushtria nuk është gati të shkojë menjëherë në luftë, sepse ka ushtarë që nuk janë trajnuar për pesë vjet dhe ka mungesë të pajisjeve”, tha Brik.

“I thashë që t’i linte të trajnohen dhe të përgatiten, sepse tani publiku është ai që blen pajisje. Fatmirësisht, ai e dëgjoi këtë, thirri ministrin e Mbrojtjes (Yoav Gallant) dhe vonoi hyrjen në Gaza për dy javë”, shtoi ai.

Që nga fillimi i operacionit tokësor izraelit në Gaza më 27 tetor, janë vrarë 237 ushtarë izraelitë. Gjithsej 576 ushtarë izraelitë janë vrarë që nga nisja e sulmit izraelit kundër Gazës më 7 tetor pas sulmit ndërkufitar të Hamasit.

Bombardimet izraelite që pasuan në Gaza kanë vrarë mbi 29.600 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe plagosën rreth 68.730 të tjerë, si dhe kanë shkaktuar një shkatërrim në masë dhe mungesë të nevojave.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite në Gaza ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së territorit palestinez mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Për herë të parë që nga krijimi i tij në vitin 1948, Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në Gaza. Një vendim i përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!