Në një kohë kur hetimet në Itali për arrestimin e bosit të mafies Matteo Messina Denaro vijojnë me intensitet për zbulimin e bashkëpunëtorëve apo lidhjeve të tjera të organizatës kriminale, një zhvillim tjetër ka habitur autoritetet italiane.
Një grua ka shkuar me vullnetin e saj te autoritetet dhe përpara prokurorëve deklaroi se ka pasur lidhje për një kohë të gjatë me bosin mafioz Matteo Messina Denaro. Ajo u shpreh se nuk e njihte me këtë emër, por që ka arritur ta identifikojë vetëm pas publikimit të fotos së tij në televizion pas arrestimit.
Megjithatë, versioni i saj nuk i bindi agjentët të cilët organizuan një kontroll në banesën e gruas, identiteti i së cilës nuk bëhet ende me dije.
Por hetimet nuk ndalen këtu, hetuesit janë vënë në kërkim të një tjetër “mikeshe” të bosit me të cilën ai është frekuentuar ndërsa qëndronte në San Vito. Dyshohet se bëhet fjalë për një grua në moshë të mesme, e cila ende nuk ka pranuar të ketë pasur kontakte me Messina Denaron.
60-vjeçari u arrestua më 16 janar, pas 30 viteve në arrati, në qytezën e Campobello di Mazara. Policia italiane atje zbuloi dhe 3 bunkerë të fshehtë dhe një sërë dokumentesh.
Një tjetër zbulim interesant rreth bosit të mafies është se pas kapjes së tij, janë gjetur disa libra.
Mes këtyre librave ishin biografitë e diktatorëve që nuk jetojnë më dhe autokratëve të tanishëm. Më konkretisht, jeta e Vladimir Putinit dhe ajo e Hitlerit, romane, tekste nga filozofia dhe aktualiteti.
Bashkë me to janë sekuestruar dhe objekte luksoze, bizhuteri e gurë të çmuar, viagra, veshje të markave të njohura, parfume ekskluzive, por mbi të gjitha dokumente me numra telefoni, shifra dhe një sërë kartelash për njerëz të caktuar.
/abcnews.al