Ish-drejtuesi i fushatës së Trump shpallet fajtor për mashtrim financiar

schedule11:16 - 22 Gusht, 2018

schedule 11:16 - 22 Gusht, 2018

Gjykata e Virxhinias ka shpallur fajtor për 8 krime financiare ish drejtuesin e fushatës së presidentit Donald Trump. Kreu i Shtëpisë së Bardhë i ka dalë atij në krah duke thënë se gjyqi ishte pjesë e një gjuetie shtrigash.

Ish shefi i fushatës së presidentit amerikan Donald Trump, Paul Manafort është shpallur fajtor për tetë akuza për mashtrim tatimor, mashtrim bankar dhe mosplotësim të llogarive të bankave të huaja. Por juria në gjyqin e tij në Virxhinia nuk arriti të merrte një vendim mbi 10 akuza të tjera. Ky ishte gjyqi i parë penal që del nga hetimi i departamentit të drejtësisë për ndërhyrjen e dyshuar nga Rusia në zgjedhjet amerikane. Por asnjë nga akuzat nuk kanë lidhje me ndërhyrjen e Rusisë. Duke iu përgjigjur akuzave, Presidenti Donald Trump tha se shpallja fajtor e Manafort ishte pjesë e një “gjuetie shtrigash” pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

“Është një gjë shumë e trishtuar që ka ndodhur”, u tha Trump gazetarëve ndërsa arriti në një tubim në Virxhinian Perëndimore, duke shtuar se nuk kishte “asnjë marrëveshje të fshehtë me Rusinë”. Manafort, 69 vjeç, ishte një figurë kyçe në rrethin e brendshëm të Trump, por presidenti ka kërkuar që të distancohet nga ish këshilltari i tij.

Gjyqtari u ka dhënë prokurorëve kohë deri më 29 gusht për të vendosur nëse do të kërkojnë një gjykim të ri mbi akuzat, në të cilat juria u bllokua. Një avokat për Manafort, tha se klienti i tij ishte “i zhgënjyer” me vendimin dhe është “duke vlerësuar të gjitha mundësitë e tij në këtë pikë”. Një datë për dënimin ende nuk është caktuar. Prokurorët paraqitën dëshmi për mënyrën e jetesës luksoze të Manafort-it, duke përfshirë fotografitë e një palltoje që kushton 15,000 dollarë. Gjykatësi hodhi poshtë prokurorinë për shpenzimet e tepërta për pasurinë e Manafort, duke thënë se “nuk është krim të kesh shumë para”. Ndërsa prokurorët këmbëngulën duke nënvizuar se shpenzimet e tepërta ishin të mundura për shkak të bankës së tij dhe mashtrimit financiar. Manafort është akuzuar se përdor 31 llogari bankare të huaja në 3 shtetet të ndryshme për të shmangur taksat në miliona dollarë. Ai që fundosi 69-vjeçarin ishte ish bashkëpunëtori i tij në fushatën e Trump, Rick Gates. Ky i fundit ka pranuar se ka marrë mijëra dollarë nga Manadort për ta ndihmuar atë të kryejë krime financiare. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!