Ish-drejtori i policisë kryen operacionin e vështirë të aortës: Mirënjohje mjekëve të Spitalit Amerikan, mi dhanë fuqi të re jetës

schedule11:06 - 27 Mars, 2024

schedule 11:06 - 27 Mars, 2024

Ish drejtori i policisë, Ahmet Prençi ka kaluar së fundmi një sfidë shëndetësore. Përmes një postimi në rrjetet sociale ai ka zbuluar se ka kryer një operacion delikat dhe të vështirë të aortës kryesore abdominale në Spitalin Amerikan, por që falë punës së mjekëve ia ka dalë me sukses.

Prençi ka falenderuar në veccanti dy mjekët, Bekim Jata dhe Gentian Huti, të cilët janë kujdesur për të, me mjeshtëri dhe profesionalizëm dhe i dhanë jetës së Prenccit një fuqi të re.

Postimi i plotë:

Falenderim e mirënjohje për Dr. Bekim Jata dhe të gjithë ata që u kujdesën për mua dhe shëndetin tim!

Të dashur miq!

Për çfarë po shkruaj më poshtë, fillimisht nuk e mendoja ta ndaja këtu në publik, pasi problemi im shëndetësor dhe situata që kalova, ishin një ngjarje private.

Me 14 Mars unë kalova një operacion delikat dhe të vështirë të aortës kryesore abdominale, ku Dr. Bekim Jata, shkëlqeu me mjeshtrinë dhe profesionalizmin e tij, duke më ngjallur ndjenjat më të thella të mirënjohjes për këtë kardiokirurg të shquar dhe humanist të jashtëzakonshëm!

Ashtu sikundër i jam falenderues Dr. Gentian Huti dhe gjithë ekipit të mjekëve dhe infermierëve.

Nisur nga telefonatat dhe mesazhet e shumta që më kishin ardhur në telefonin që e kisha të mbyllur për disa ditë dhe para se t’i shpreh gjithsecilit falënderimet e mia, vendosa ta bëj së pari këtu, sepse të gjithë këto fjalë më shëruan shpirtin dhe i dhanë një kuptim dhe fuqi të re jetës time!

Gjithçka nisi para rreth 20 ditësh, gjatë një kontrolli rutinë mjeksorë, i cili konstatoi se në Aortën time abdominale vërehej qartë një zgjerim e dëmtim i saj në përmasa shumë të rrezikshme për jetën. Kjo kërkonte një ndërhyrje të shpejtë dhe emergjente kirurgjikale për të bërë të mundur parandalimin e dëmtimit perfundimtarë e fatal të aortës. Këtë shqetësim e ndava menjëherë me Doktor Bekim Jatën duke përfituar nga një miqësi jo profesionale që kisha me të. E çmoja si mik, si doktor e intelektual, por profilizimin konkret të tij lidhur me problemin që kisha nuk e dija, sepse kurrë nuk kam patur dëshirë të mësoj mbi detajet e mjeksisë që për mua mbeten të mistershme, të veshtira e të pashpjegueshme.

Doktori më ofroi asistencën e tij për të më siguruar operacionin jashtë vendit, ku ai kishte studiuar dhe ishte specilaizuar. Ndërkohë mësova se Dr. Bekimi kishte kryer në Tiranë të tilla operacione prej vitesh dhe me shumicë, por në rastin tim nguronte nga pesha emocionale që doktorët e përjetokan kur duhet të operojnë pacientë që i konsiderojnë të afërt. Hera e parë që dëgjoja për një marrëdhënie të tille mjek – pacient! Por pavarësisht kësaj dhe pavarësisht opsioneve të shumta që m’u ofruan edhe nga miq të tjerë, vendosa që operacionin tim ta bënte pikërisht një mjeshtër i bisturisë dhe një mik si Bekim Jata!

Që nga ky moment kur edhe Dr. Bekimi pranoi, unë fitova një qetësi të brendshme, sepse ndjeja thellë dhe isha i sigurtë që shqetësimi im shumë serioz tashmë ishte transferuar tek përgjegjësia profesionale e shoqërore e doktorit. Këtë e shikoja në sytë e tij që ngjallin vetëm besim e siguri, mprehtësi e inteligjencë që rrallë e shikon ndër njerëz.

Me datën 14 mars, ditën e verës ai kreu ndërhyrjen me një teknologji shkencore të fjalës së fundit, të cilën unë nuk di ta shpjegoj. Por di të them që pas 48 orësh të atij operacioni të vështirë, unë ndodhesha në shtëpi dhe shenja e operacionit ku ai kishte bërë intervenimin është një gjurmë vetëm disa milimetra gati e padukshme. Ai kishte arritur të rikuperonte rreth 9 cm të aortës sime të dëmtuar, pa lënë gjurmë dhe trauma, pa asnjë problem me organet e tjera dhe pa ndjerë asgjë unë si pacient.

Me këtë rast falënderoj Zotin që më fali Bekimin (Jatën) dhe tashmë unë gëzoj shëndet të plotë dhe ndjejë sikur kam një jetë të dytë.

Faleminderit Zot!

Dr. Bekimi, Dr. Gentiani dhe mjeket e tjerë që pata rastin t’i njoh janë shkenctarë të vërtetë, me të cilët duhet të jemi krenarë dhe me fat që i kemi. Të gjithë atyre u shpreh mirënjohjen e pakufijshme duke ju uruar shëndet dhe suksese!

Falenderoj nga zemra familjarët e mij dhe miqt e ngushtë që gjithë kohën ishin pranë meje. Me mirënjohje falënderoj të gjithë miqt që erdhën nga të gjitha anët për të më vizituar dhe për të më uruar shërim të shpejtë!

Mirënjohje miqve të dashur që nga Amerika e kudo ku ndodhen që kanë jetuar me shqetësimin tim. Dhe ju miqt e mij që lexoni këto radhë, ju dëshiroj çdo të mirë; së pari shëndet dhe përpiquni ta shikoni jetën siç po e shikoj unë tani – jo me nerva të tendosura, jo me shqetësim e të alarmuar, por me sportivitet e dashuri pasi ajo është e bukur dhe Zoti na e ka falur për ta jetuar e jo për të qenë skllav të shkatërrimit tonë të përditshëm.

Mësoni nga eksperiencat e vështira të të tjerve pasi nuk kemi kohë mjaftueshëm që të mësojmë vetëm nga eksperiencat tona.

Faleminderit! Shendet e dritë në jetët tuaja!

Foto : Dr Bekim Jata dhe Dr Gentian Huti./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!