Ironia e fatit/ Presidenti iranian udhëtonte në një helikopter të prodhuar në SHBA, ‘armiku’ që e kishte sanksionuar

schedule09:58 - 21 Maj, 2024

schedule 09:58 - 21 Maj, 2024

Vdekja e presidentit iranian, Ebrahim Raishi, në një aksident me helikopter të dielën po merr një kthesë të re.

Sipas të dhënave të cituara nga analistë ushtarakë dhe të aviacionit, helikopteri në të cilin 63-vjeçari Raisi vdiq pas një defekti mekanik (sipas të dhënave të para të raportuara nga agjencia iraniane e lajmeve IRNA), nuk ishte një relike e viteve 1960, por një Bell 212, i prodhuar në 1994 në Shtetet e Bashkuara.

Siç raportohet, helikopteri kishte numrin e identifikimit 6-9207 dhe numrin e prodhuesit 35071. Helikopteri me dy motorë, i përkiste Forcave Ajrore të Iranit (IRIAF) dhe së fundmi u zhvendos në shërbimin e transferimit VIP.

Kjo, natyrisht, ngre më shumë pyetje për t’u shtuar atyre që pyesin pse presidenti, ministri i jashtëm dhe zyrtarë të tjerë të Iranit po udhëtonin në mot shumë të keq dhe në terrene të rrezikshme me një helikopter kaq të vjetër.

Duke pasur parasysh se Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore në përgjithësi kanë vendosur sanksione të rënda, duke përfshirë ndalimin e shitjes së avionëve, pas revolucionit dhe përmbysjes së Shahut në vitin 1979, është e habitshme se si u gjet një helikopter i vitit 1994 në Forcat Ajrore të Iranit.

Sipas informacioneve të pakonfirmuara nga tregu i aviacionit, Irani  ka 10 helikopterë Bell 212 dhe 412 (nga të cilët tre janë të versionit më të fundit) të prodhuar nga mesi deri në fund të viteve ’90 dhe të blerë duke anashkaluar sanksionet.

Ekzistojnë dy skenarë për helikopterin që rezultoi fatal për Raisin.

I pari është se ai i përkiste kompanisë shtetërore të naftës në Arabinë Saudite, “Saudi Aramco”, e cila, si pjesë e rinovimit të flotës së saj, ia shiti atë një tregtari aeroplanësh amerikanë në vitin 2011, i cili nga ana tjetër e shiti atë përmes një pale të tretë në Iran.

E dyta përkon me flotën prej 10 helikopterësh të blerë në vitet ’90, duke anashkaluar gjithmonë sanksionet nëpërmjet palëve të treta dhe kompanive, direkt nga Irani.

Ky helikopter i veçantë thuhet se ishte i pajisur me një radar moti të montuar në hundë, një paketë të plotë IFR të natës dhe dedktorë të motit të keq. Ishte një helikopter me dy motorë, si “pasardhësi” i “Huey” legjendar që u përdor gjerësisht nga amerikanët në luftën e Vietnamit dhe vazhdon të fluturojë edhe sot në forca të ndryshme ajrore në mbarë botën.

Natyrisht, pyetja është nëse dhe sa me efikasitet funksionuan të gjitha këto sisteme. Kjo pasi nga njëra anë Bell Textron ka ndërprerë ciklin e mirëmbajtjes së helikopterit (nuk bën mirëmbajtje, pasi konsideron se kanë përfunduar ciklin e shërbimit), ndërsa nga ana tjetër është shumë e vështirë deri e pamundur për iranianët të gjejnë pjesë këmbimi, për shkak të sanksioneve.

Me shumë mundësi,  diçka që do të shpjegonte gjithashtu pyetjen se pse zyrtarët po udhëtonin me një helikopter 30-vjeçar është se edhe në këtë helikopter, iranianët po ndjekin “recetën” që aplikojnë për pjesën tjetër të avionëve të tyre amerikanë: kanibalizimin (domethënë eksportimi i pjesëve rezervë nga disa helikopterë që nuk funksionojnë dhe bëhen “donatorë” për ata që punojnë) dhe inxhinieri e kundërt, pra studimi dhe përpjekjet për të prodhuar pjesët e këmbimit nga vetë iranianët.

Megjithatë, nëse përjashtohet “10” specifikët që përmendëm më sipër, Irani ka kryesisht avionë amerikanë të viteve ’60 dhe ’70.

Shahu i Iranit, Mohammad Reza Pahlavi ishte një adhurues i fluturimit dhe donte ta kthente forcat ajrore të vendit të tij në një nga më të fortat në botë. Ai ia doli pjesërisht duke krijuar forcën ajrore më të fortë në Lindjen e Mesme, me porosi masive të avionëve kryesisht amerikanë (mes tyre legjendari F-14 Tomcat, të cilin amerikanët e tërhoqën nga shërbimi aktiv dhe shkatërruan të gjitha pjesët në mënyrë që pjesët e këmbimit të mos mbërrinin te iranianët) dhe helikopterët, të gjithë të prodhuar deri në fund të viteve 1970.

Që nga viti 1979 kur Revolucioni iranian përmbysi Shahun dhe ai shkoi në mërgim, amerikanët kanë ndaluar që çdo pjesë këmbimi ose teknologji të dërgohej në Iran.

Është karakteristikë se në rastin konkret të rrëzimit të helikopterit, qeveria iraniane i kërkoi qeverisë amerikane t’i jepte ndihmë, sipas një përfaqësuesi të Shtëpisë së Bardhë, të cilën amerikanët e refuzuan “kryesisht për arsye logjistike.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!