Irani: Vendimet e këqija “kanë dëmtuar” ekonominë

schedule22:46 - 30 Janar, 2022

schedule 22:46 - 30 Janar, 2022

Lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei ka thënë se për situatën e rëndë ekonomike nuk janë fajtore vetëm sanksionet ndërkombëtare, por edhe keqmenaxhimi qeveritar.

“Vendime të këqija dhe shkurtpamëse”, janë disa prej arsyeve për të dhënat “jo të kënaqshme ekonomike” të Republikës Islamike, ka thënë ai për dekadën nga marsi i vitit 2011 deri në vitin e kaluar.

“Nëse autoritetet do të bashkëpunonin më shumë me prodhuesit në 10 vjetët e fundit, dëmi do të ishte më i vogël dhe suksesi do të ishte më i madh”, ka shtuar ai duke kritikuar qeveritë e kaluara të udhëhequra nga Hasan Rohani nga viti 2013 deri më 2021.

Irani, i cili vitin e kaluar ka zgjedhur Ebrahim Raisin si president të ri, është goditur me sanksione ekonomike nga viti 2018 kur Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore.

Shkalla e inflacionit atëbotë kishte arritur në gati 60 për qind.

Khamenei ka kritikuar çmimet e larta dhe kualitetin e dobët të disa produkteve të prodhuara në Iran, duke vënë theksin te makinat.

Sipas tij, pavarësisht “mbështetjes qeveritare”, çmimi i disa produkteve të prodhuara në Iran është dyfishuar.

Irani është përballur me disa protesta në javët e fundit, në të cilat qytetarët kanë kërkuar kushte më të mira ekonomike.

Sa u përket kompanive, që funksionojnë pavarësisht sanksioneve, Khamenei ka thënë se “kemi shembuj dhe biznese që nuk kanë pritur për heqje të sanksioneve”.

Irani është duke negociuar në Vjenë – drejtpërdrejt me Britaninë, Kinën, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë, si dhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë më Shtetet e Bashkuara – për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Marrëveshja parasheh heqjen e sanksioneve ndërkombëtare, në këmbim të kufizimit të aktivitetit bërthamor të Teheranit.

Mirëpo kur SHBA-ja është larguar më 2018 nga marrëveshja – dhe ka rikthyer sanksionet – Irani ka nisur t’i shmanget këtij pakti./ REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!