Ambasada e Iranit në Arabinë Saudite është rihapur sot, si pjesë e marrëveshjes mes Teheranit dhe Riadit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Ceremonia për rihapjen e ambasadës iraniane në Riad u transmetua drejtpërdrejt nga Al-Hadath TV. Sipas zyrtarëve iranianë, të mërkurën do të hapet edhe konsullata iraniane në Jeddah.
Muajin e kaluar, Teherani emëroi Alireza Enayati, një ish-zëvendës ministër i Jashtëm dhe ambasador në Kuvajt, si kreun e misionit diplomatik të Iranit në Arabinë Saudite. Nga ana e saj, Arabia Saudite nuk ka njoftuar ende datën e rihapjes së ambasadës së saj në Teheran, as emrin e ambasadorit të saj të ardhshëm në Iran.
Arabia Saudite ndërpreu marrëdhëniet me Iranin në vitin 2016, pasi ambasada e saj në Teheran u bastis gjatë një përplasjeje midis dy vendeve lidhur me ekzekutimin e një kleriku nga Riadi. Më pas, mbretëria u kërkoi diplomatëve iranianë që të largoheshin nga vendi brenda 48 orëve, ndërsa largonte stafin e ambasadës së saj nga Teherani.
Marrëdhëniet midis dy vendeve kishin filluar të përkeqësoheshin një vit më parë kur Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ndërhynë në luftën në Jemen, ku lëvizja Houthi aleate e Iranit kishte përmbysur qeverinë e mbështetur nga Arabia Saudite dhe kishte pushtuar kryeqytetin Sana’a.
Riadi ka akuzuar Teheranin për armatosjen e Houthis, të cilët kanë vazhduar të sulmojnë qytetet saudite me dronë dhe raketa balistike. Në vitin 2019, mbretëria fajësoi drejtpërdrejt Republikën Islamike për një sulm ndaj objekteve të naftës Aramco, gjë që e detyroi kompaninë të përgjysmonte përkohësisht prodhimin e saj. Irani i mohoi këto akuza.
Rihapja e ambasadës iraniane në Arabinë Saudite përkon me vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit Anthony Blinken në mbretëri. Kreu i diplomacisë amerikane ka mbërritur sonte në Xhedah, ku do të ketë një takim me princin e kurorës dhe liderin de facto të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman. Blinken do të udhëtojë për në Riad nesër të mërkurën për të marrë pjesë në një takim me ministrat e jashtëm të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit. /abcnews.al