Irani paralajmëron për mundësinë e nisjes së prodhimit të bombave bërthamore

schedule14:35 - 10 Maj, 2024

schedule 14:35 - 10 Maj, 2024

Një zyrtar i lartë iranian paralajmëroi se Teherani mund të ndryshojë doktrinën e tij bërthamore dhe të nisë ndërtimin e bombave bërthamore, nëse kërcënohet ekzistenca e shtetit.

Kamal Kharrazi, kreu i Këshillit Strategjik iranian për Marrëdhënie të Jashtme dhe këshilltar i lartë i liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, tha në një intervistë për Al-Jazeera në gjuhën arabe se Irani “ka kapacitet për të prodhuar bomba”, edhe pse shteti nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për ndërtimin e bombave.

“Dy vjet më parë në një intervistë për Al-Jazeera, unë njoftova se Irani ka kapacitet të prodhojë bombë bërthamore. Edhe sot kemi këtë kapacitet, por ne nuk kemi qëllim që të prodhojmë bombë bërthamore. Megjithatë, nëse kërcënohet ekzistenca e Iranit, ne do të ndryshojmë doktrinën tonë bërthamore”, tha ai.

Deklaratat e Kharrazit u bën në kohën kur janë përshkallëzuar tensionet mes Iranit dhe Izraelit, përderisa komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësim lidhur me ambiciet bërthamore të Iranit. Republika Islamike vazhdimisht ka pretenduar se programi i saj bërthamor ka qëllime civile, pavarësisht se posedon aftësi teknike që ai të shndërrohet në program armësh.

Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 hoqi sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit, por më 2018 presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, u largua nga marrëveshja dhe që atëherë Uashingtoni ka rivendosur sanksionet ndaj Iranit që kanë ngufatur ekonominë e Republikës Islamike.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!