Irani i është përgjigjur të hënën paralajmërimit të Donald Trump se lufta do të ishte fundi i Republikës Islamike. Në reagimin e tij, ministri i Jashtëm iranian i ka bërë thirrje presidentit amerikan që të shohë historinë dhe që në vend të kërcënimeve të provojë respektin.
Ministri i Jashtëm iranian Mohamad Xhavad Zarif ka hedhur poshtë ato që i ka quajtur “thumbimet gjenocidiale” të presidentit amerikan Donald Trump dhe e ka paralajmëruar atë që të mos e kërcënojë më Iranin. Teksa tensionet rriten, Trump shkroi të dielën në Tëitter se, nëse Irani do të donte luftë, lufta do të ishte fundi i këtij vendi. Por ministri Zarif i ka bërë thirrje shefit të Shtëpisë së Bardhë që t’i hedhë një sy historisë. Sipas tij, Trump po përpiqet të arrijë atë që nuk e arritën dot as Aleksandri i Madh e as Xhengiz Khan. “Iranianët kanë qëndruar me kokën lartë për shumë mijëvjeçarë dhe kanë parë agresorët të largohen. Në vend të kërcënimeve provo respektin, zakonisht funksionon”, ka thënë Zarif, edhe ai në Twitter. Postimi i zotit Trump shënon një ndryshim të qëndrimit të tij të mëhershëm, që ishte kundër luftës me vendin e Lindjes së Mesme. I pyetur të enjten e kaluar nëse Shtetet e Bashkuara do të bënin luftë me Iranin, ai u përgjigj: “Shpresoj që jo”. Megjithatë, në ditët e fundit Shtetet e Bashkuara kanë dërguar anije luftarake shtesë në zonën e Gjirit, një lëvizje kjo për t’i bërë sa më shumë presion Republikës Islamike, si dhe kanë larguar një pjesë të personelit diplomatik në Irakun fqinj./ABC News Albania 24/7