Irani vazhdon t’u përgjigjet me reciprocitet sanksioneve ndërkombëtare ndaj sektorit të saj të naftës. Marina e Republikës Islamike ka sekuestruar një tjetër anije-cisternë nën akuzën se po transportonte kontrabandë një sasi karburanti. Kjo lëvizje që mund të thellojë tensionet me Perëndimin.
Forcat e marinës iraniane kanë sekuestruar një tjetër anije-cisternë në Gjirin Persik, që sipas autoriteteve po transportonte kontrabandë një sasi nafte për vendet arabe. Sipas një njoftimi të Gardës Revolucionare, në kuadër të operacionit të saj marina iraniane ka arrestuar edhe 7 anëtarë të ekuipazhit të anijes. Incidenti ndodh në një kohë tensionesh të larta, pasi Shtetet e Bashkuara ashpërsuan sanksionet mbi sektorin iranian të naftës.
Përshkallëzimi i qëndrimit të administratës amerikane erdhi pas tërheqjes së njëanshme të Uashingtonit nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015.
Kjo është hera e dytë që Republika Islamike konfiskon një anije-cisternë nën akuzën e kontrabandimit të naftës. Muajin e kaluar ajo ndaloi një mjet të tillë që mbante flamurin e Panamasë. Gjithashtu, në një tjetër rast autoritetet ndaluan një anije me flamur britanik në Ngushticën e Hormuzit, këtë herë nën akuzën se ishte përplasur me një anije peshkimi. Sa i takon rastit të fundit, cisterna është dërguar në lokalitetin e Busherit dhe sasia e karburantit u është dorëzuar autoriteteve.
Ndërkohë, mbetet e paqartë se çfarë flamuri mbante ajo dhe as kombësia e 7 anëtarëve të ekuipazhit. Në qershor, Shtetet e Bashkuara fajësuan Iranin për dëmtimin me eksploziv të dy anijeve me karburant në Gjirin e Omanit, akuzë që Teherani e ka mohuar./ABC News Albania 24/7