Iran, gratë lejohen në finalen e Ligës së Kampioneve aziatike

schedule22:46 - 10 Nëntor, 2018

schedule 22:46 - 10 Nëntor, 2018

Autoritetet iraniane kanë vendosur të zbusin rregullat arkaike që u ndalonin grave të ndiqnin ndeshjet e futbollit. Këtë herë qindra tifozeve femra u është lejuar hyrja në stadium për finalen e Ligës së Kampioneve Aziatike, e luajtur në kryeqytetin Teheran.

Qindra gra iraniane u lejuan nga autoritetet e Republikës Islamike të ndiqnin në stadium finalen e Ligës së Kampioneve të Azisë, në Teheran. Lëvizja e qeverisë iraniane shihet si një shans për t’i dhënë fund rregullit të rreptë që prej 35 vitesh u ndalon grave ndjekjen e ndeshjeve të futbollit. Pjesa dërrmuese e grave që ishin të pranishme në stadium ishin të afërme të lojtarëve, ose pjesëtare të ekipeve për femrat.

Ndeshja mes ekipit vendas Perspolis dhe atij japonez Kashima Antlers u mbyll në barazim zero me zero, por i dha titullin kësaj të fundit pas fitores 2-0 të regjistruar në ndeshjen e parë. Muajin e kaluar rreth 100 gra u lejuan të shihnin ndeshjen miqësore mes Iranit dhe Bolivisë, por menjëherë më pas kufizimet u rivendosën. Aktualisht edhe organi qeverisës i futbollit, FIFA po punon me Teheranin për t’i dhënë fund ndalimit.

Në Mars të këtij viti, 35 gra u arrestuan pasi u përpoqën të ndiqnin derbin kryeqytetas mes Persepolis dhe Esteklalit. I pranishëm në këtë ndeshje ishte edhe presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, së bashku me ministrin iranian të Sporteve, Masud Soltanifar. Që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979, gratë dhe vajzat iraniane rrallë herë janë lejuar të ndjekin evente sportive ku performojnë meshkujt. “Stadiumet e Hapura”, një shoqatë që lufton për të drejtat e grave në Iran, i dërgoi më herët gjatë javës një peticion FIFA-s, i cili ishte nënshkruar nga mbi 200 mijë persona./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!