Iraku mbyll kampet, 100 mijë të pastrehë

schedule08:29 - 10 Nëntor, 2020

schedule 08:29 - 10 Nëntor, 2020

Mbyllja e shpejtë e kampeve të zhvendosjes në Irak mund të lërë më shumë se 100 mijë persona pa strehë në mes të pandemisë së koronavirusit. Këshilli Norvegjez për Refugjatët tha se në shtatë qytete, personat e strehuar në kampe po dëbohen, ndërkohë kërkoi që autoritetet të marrin masat e nevojshme pasi dimri po afrohet.

Këshilli shprehu shqetësimin në lidhje me fatin e mijëra familjeve që jetojnë në kampe në Bagdad, Karbala, Diyala, Sulaymaniyah, Anbar, Kerkuk dhe Nineveh pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan gjatë luftës kundër ISIS.

Qeveria irakiane filloi mbylljen me forcë të kampeve në gusht 2019.  Pavarësisht se puna u ngadalësua ndjeshëm këtë vit, për shkak të pandemisë Covid-19, ajo mbetet e vendosur për mbylljen e të gjitha kampeve.

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin tha se deri më tani, më shumë se 600 familje kanë lënë kampin Hammam al-Alil, i cili është një nga më të mëdhenjtë që do të mbyllet javën e ardhshme. Sipas saj pothuajse gjysma e njerëzve të detyruar të lënë kampe në Bagdad dhe Karbala në javët e fundit nuk kanë qenë në gjendje të kthehen në zonat e tyre të origjinës.

Sekretari i Përgjithshëm i  Këshilli Norvegjez për Refugjatët, Jan Egeland tha se mbyllja e kampeve para se banorët të jenë të gatshëm ose të aftë të kthehen në shtëpitë e tyre nuk i jep fund krizës së zhvendosjes përkundrazi i lë ata në mëshirë të fatit duke shtuar problematikat.

Organizatat joqeveritare kërkuan që autoritetet të informojë familjet për mbylljen e kampeve të paktën një muaj përpara në mënyrë që ata të mund të sigurojnë një vend tjetër për të jetuar. Më shumë se 6 milionë irakianë  u larguan nga shtëpitë e tyre gjatë konfliktit, i cili përfundoi zyrtarisht në dhjetor 2017./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!