Një sulm nga “dronët e armatosur” është shënuar në Aeroportin Ndërkombëtar Erbil pranë konsullatës së Shteteve të Bashkuara në Irakun verior.
Mediat e huaja bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, ku fatmirësisht nuk është shënuar asnjë i lënduar.
Drejtori i aeroportit Ahmed Hossiar në deklaratën e tij për mediat ka bërfë me dije se nga shpërthimi nuk është dëmtuar aeroporti që strehon një bazë ajrore ku strehohen trupat e koalicionit Anti-Xhihadist Ndërkombëtar.
“Nuk ka viktima në sulmin e dy dronëve të armatosur kundër Aeroportit Ndërkombëtar të Erbilit,” tha shërbimi i antiterrorizmit i Rajonit Autonom të Kurdistanit irakian.
Dëshmitarët okularë kanë thënë për mediat se dëgjuan të paktën gjashtë shpërthime në zonë.
Shërbimi i sigurisë së brendshme të rajonit autonom kurd të Irakut raportoi fillimisht se tre raketa u ulën pranë aeroportit. Sipas dëshmitarëve okularë, të cituar nga Agjencia Franceze, qasja në ambientet e aeroportit është bllokuar nga një prani e fortë e forcave të sigurisë.
Sulme të tilla, që synojnë trupa dhe interesa të veçanta amerikane në Irak, janë përsëritur rregullisht muajt e fundit. Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmet, por Shtetet e Bashkuara kanë fajësuar milicitë pro-iraniane.
Përdorimi i avionëve të rinj pa pilot ka shkaktuar dhimbje koke në koalicionin ndërkombëtar, pasi këto avionë mund të mos përgjohen nga grupet e sistemeve të mbrojtjes kundërajrore C-RAM të instaluara nga amerikanët për të mbrojtur personelin ushtarak dhe diplomatik.
Në korrik, një sulm me mjete ajrore pa pilot (UAV) u nis kundër Aeroportit Ndërkombëtar të Erbilit, duke mos shkaktuar të lënduar apo dëme materiale. Disa javë më parë, një sulm tjetër nga tre dronë shënjestroi aeroportin e Bagdadit, ku trupat amerikane janë vendosur./abcnews.al