Inzaghi u ‘mbyll’ gojën skeptikëve, Interi i tij më i mirë se i Contes

schedule16:50 - 19 Janar, 2022

schedule 16:50 - 19 Janar, 2022

Antonio Conte do të mbahet mend gjatë në memorien e tifozëve interistë për faktin se riktheu zikaltërit tek titulli kampion pas 10 vitesh dhe trofeun e parë pas 9 vitesh.

Largimi i tij në fund të sezonit të kaluar ishte një “bombë” për tifozët, të cilët nuk po mund të kuptonin se përse duhej hequr një trajner me mentalitet fituesi.

Të gjithë ishin kurioz për të mësuar zëvëndësin e Contes dhe alternative ishte Simone Inzaghi, një trajner që kishte bërë mirë me Lacion, por nuk shihej si ideali për të drejtuar kampionët e Italisë.

Kur kemi kaluar gjysmën e sezonit, loja e Interit dhe shifrat tashmë kanë treguar se Interi i Inzaghit është më i fortë dhe mbi të gjitha më i bukur se ai i Contes edhe pse nuk ka në organikë 3 futbollistët më të rëndësishëm të sezonit të kaluar.

Shitja e Lukakut dhe Hakimit trazoi jo pak ujërat në kampin zikaltër teksa u pasuan edhe nga problemet me zemrën të Eriksen.

Sa u përket shifrave momentalisht në Itali po luhet java e 22 dhe Inter që ka një ndeshje më pak ka grumbulluar 50 pikë +3 nga Interi i Contes së sezonit të kaluar.

Ajo që vlen për t’u theksuar është edhe pozicionimi në tabelën e Serie A, ku janë në vend të parë dhe ndiqen nga Milani dhe jo si sezonin e kaluar ku ishin ata në ndjekje të “kushërinjve”.

Në Champions League janë rikthyer në fazën me eliminim direkt pas 11 vitesh dhe janë akoma në lojë për trofeun e Kupës së Italisë.

Gjithsesi për të parë nëse do të jetë më i suksesshëm se Conte na pritet që të presim fundin e sezonit dhe nëse Inter do të mund të marrë ndonjë trofe tjetër për këtë vit, pasi të parin sezonal, atë të Super Kupës së Italisë e mori para disa ditësh kundër Juventusit. /f.a/abcnews.al