Një fitore e autoritetit, me të cilën anulohet hidhërimi i derbit dhe projektohet kalimi për në gjysmëfinale të Kupës së Italisë falë golave kryevepër të Edin Dzekos dhe Alexis Sanchez.
Interi shtrin Romën dhe i jep José Mourinhos një rikthim të hidhur në San Siro. Për këtë ndeshje foli Simone Inzaghi për “Sportmediaset”.
“Djemtë ishin shumë mirë. Nuk ishte një ndeshje e lehtë, Roma ka një ekip cilësor me një skuadër të shkëlqyer.
Ne e mbajtëm mirë fushën dhe e merituam gjysmëfinalen. E përgëzova ekipin, ata ishin të mirë në organizimin e një ndeshjeje personaliteti në vetëm dy ditë e gjysmë pas derbit.
U mërzitëm për dëmtimin e Bastonit, shpresojmë mos të mungojë për një kohë të gjatë pasi për ne ai është një shtyllë e mbrojtjes.
Perisic bëri një lojë fantastike, ai gjithmonë ka qënë në këtë formë. Është një lojtar shumë i rëndësishëm për ekipin tonë pasi të gjithë e kemi parë se si e menaxhon krahun e tij të majtë.
Duhet të menaxhojmë anën tonë psikologjike dhe pak atë fizike, kemi ndeshje shumë të rëndësishme këtë muaj. Milan dhe Roma luajtën me ne, tani kemi Napolin dhe Liverpoolin, kalendar i ngjeshur për ne”, kështu është shprehur tekniku zikaltër./ h.ll/abcnews.al