Simone Inzaghi ka vendosur të grumbullojë skuadrën që nga ora 17. 00 e kësaj të diele, pas seancës së fundit stërvitore me skuadrën që do të qëndrojë në qendrën stërvitore deri para ndeshjes me Empolin , në program mbrëmjen e të hënës.
Një vendim ky jo i zakontë te Interi, ku skuadra nuk është mbajtur në grumbullim as para ndeshjeve të rëndësisë maksimale, si ajo me Atletikon e Madridit në Champions, me klubin zikaltër që në këtë mënyrë ndryshon kurs duke i dhënë një rëndësi të veçantë sfidës me Empolin.
Pas dy javësh paksa në kundër tendencë me eliminimin në Champions League dhe barazimin me Napolin, si dhe polemikave për çështjen Acerbi Interi kërkon të gjejë menjëherë tre pikët për të rinisur marshin drejt titullit.
Ndeshja me Empolin edhe pse në letër mund të konsiderohet e thjeshtë, pasi toskanët janë të katërtët nga fundi në renditje dhe vijnë pas tre disfatash radhazi, mund të rezultojë një kurth që Inzaghi kërkon ta evitojë, duke mos i lënë asgjë rastësisë.
Trajneri pret një kontribut të rëndësishëm sidomos nga dyshja e sulmit, që prej pak kohësh ka ulur standardin me të cilin kishte mësuar tifozët në gjysmën e parë të Serisë A.
Lautaro Martinez është kryegolashënues i kampionatit me 23 gola në 26 ndeshje, por nuk shënon që nga fundi i shkurtit në fitoren 4-0 me Atalantën, ndërkohë që Marchus Thuram 10 gola në 27 ndeshje, “agjëron” që nga mesi i shkurtit, në fitoren 4-0 me Salernitanën , rendiment që është kushtëzuar dhe nga dëmtimi që detyroi të humbiste sfidat me Atalantën dhe Leccen.
Dyshja Thuram-Lautaro thërritet në mision për të arkivuar zhgënjimin e Champions dhe barazimin me Napolin, duke çuar sërish në 14 pikë diferencën me Milanin ndjekës për t’ju dhuruar siguri tifozëve në lidhje me yllin e dytë në fanellë.
Në fushë pritet të jenë ata dhe gjithë skuadra titullare, përveç të dëmtuarve De Vrij e Arnautivic, teksa Inzaghi ka të gatshëm edhe Sommer dhe mund ti besojë 11-shes që deri tani ka bërë një ecuri fantastike dhe nuk dëshiron të ndalet në momentin më të bukur./ h.ll/abcnews.al