Prej disa ditësh situata e helmimit nga uji në Krujë vijon të jetë problematike, megjithatë edhe pse uji në çezma ka të paktën tre ditë që është ndërprerë, rastet e reja vazhdojnë të shfaqen. Beqir Llubani inxhinier gjeolog në pension thotë për ABC se shkak për këtë mund të jetë bërë fakti që banorët përdorin ujin e mbetur në depozita që ka ardhur nga e njëjta depozitë që ka shkaktuar helmimin.
“Kemi blerë ujë për të pirë dhe për ushqimet, gjellët. Unë do të thoja që e gjithë kjo situatë është krijuar nga helmimi i ujit. Për Krujën kam punuar edhe me shërbimin gjeologjik shqiptar kur kam qenë në punë, tani jam pensionit.
Në burimet ku merret uji i Krujës, baseni ujëmbledhës duhet pastruar nga çdo gjë, nga plehrat, nga stanet që mbajnë bagëti sepse janë kontribuuesit kryesorë të ndotjes me amoniak të ujit të pijshëm. Nga ndotja”, u shpreh ai.
Ai shprehet se autoritetet duhet të marrin masa për pastrimin e ujëmbledhësit duke bërë apel që të zhvendoset menjëherë stani që ndodhet mbi depozitën që furnizon qytetin me ujë të pijshëm.
“Në Malin e Krujës mbi pusetën që ka ardhur uji, është një stan ku mbahet bagëti. Ajo duhet hequr urgjentisht. Uji ka tre-katër ditë që nuk na ka ardhur në çezma. Rastet e reja mund të jenë shfaqur sepse mund të jenë përdorur uji që kanë pasur në depozita.
Edhe unë e kam një pjesë por e përdor për depozita dhe banjo. Duhet zgjidhur se nga duhet ta marrë ujin ky popull. Me sa kam parë kanë lëvizur dhe po lëvizin. Kjo ngjarje duhet të na shërbejë që preokupimi të jetë i vazhdueshëm në të ardhmen”, thekson ai. m.v/Abcnews.al