Sekretari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Arbi Agalliu ka kërkuar që SPAK të hetojë të dhënat e publikuara në media për aktorin Gazmend Paja, ku thuhet do të investojë në 133 metra katror tokë për ngritjen e një resorti turistik, duke e cilësuar si investitor strategjik.
Agalliu në një deklaratë për mediat theksoi se Paja njihet edhe si aktivist i Partisë Socialiste dhe për këtë duhet të hetohet nëse plotëson kushtet e investitorit strategjik apo është qokë.
“Dua të denoncoj aferën korruptive që kjo qeveri vijon sidomos me bregdetin duke filluar nga Llogaraja në Sarandë, aty ku nën petkun e investitorit strategjik, kjo qeveri i është vënë kësaj zone me qëllim përfitimi. Kemi parë se si njerëz të afërm të ministrave të deputetëve dalin të fshehur pas kompanive të fshehura nën petkun investitorit strategjik, përfitojnë toka dhe sipërfaqe të tëra, ndërkohë që banorët e zonës sot e kësaj dite nuk kanë ende certifikatë pronësie të pronave të tyre. Rasti i cili është denoncuar, bëhet fjalë për kompaninë Startek, ka publikuar për të marrë një lejë ndërtimi në vitin 2017, për të ndërtuar një resort në Dhërmi, por është refuzuar dhe janë dhënë argumentet përkatëse. Por në vitin 2019 së bashku me kompaninë Ecotech Energy Services, ku aktori Gazment Paja i cili njihet si simpatizant i PS-së, por edhe aktivist është pronar.
Çfarë lidhje ka ky individ me këto kompani? A është i vërtetë fakti që është publikuar dje? Dhe a mund të quhet një aktor humori investitor strategjik. Shqiptarë s’kanë bukë të hanë dhe këta hanë hartën e Shqipërisë. I bëj thirrje SPAK që të hetojë sa më parë nëse ky është një investitor që plotëson kushtet apo është qokë?” deklaroi Agalliu. /abcnews.al