Me banorët e Njësisë 7 në kryeqytet, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përmendi edhe investimet konkrete që do të bëhen në këtë zonë, jo vetëm gjatë vitit të ardhshëm, por edhe në vazhdim. Një nga lajmet e mira është rikonstruktimi total i një prej rrugëve më të frekuentuara në qytet, Rr. “Myslym Shyri”.
“Kemi miratuar buxhetin për të ribërë komplet rr. “Myslym Shyri”. I di përmendësh mesazhet tuaja, kur më thoni: “O kryetar, lëvizin pllakat, sidomos tani që është ujë”. E kemi vendosur në buxhetin e vitit 2023, do ndërrohen të gjitha pllakat dhe do të bëhet riasfaltimi dhe riveshja e rrugës “Myslym Shyri”. Është një nga rrugët kryesore të Tiranës, që ka prodhuar shumë biznes dhe shumë ekonomi për zonën. Por, jemi duke parë për të ndërhyrë edhe në disa xhepa pallatesh, ku mund bëjmë parkime nëntokësore”, tha Veliaj.
Ai u shpreh se do të rindërtohet edhe qendra “Ten”. Veliaj shtoi se do të lirohet edhe hapësira për të ndërtuar një palestër të re për shkollën “Pjetër Budi”. Mandej, preku edhe investimin për projektin e lumit të Lanës.
“Mjafton të bëni një xhiro nga Materniteti i ri deri në Shkozë për të parë sesi ajo zonë, e cila dikur quhej fundi i botës – Lana ishte një përrua – është transformuar komplet zona, është bërë me tre korsi, plus një korsi parking, është mbjellë e gjithë hapësira anash Lanës, e cila jo vetëm që nuk del më nga shtrati, por as nuk i afrohet pjesës së lartë të betonit. Ka shpëtuar e gjithë zona nga ndotja, vetëm në atë segment është 3-fishuar vlera e pronës. Të njëjtën gjë duam të bëjmë edhe për Njësinë 7. E di që do vijnë të thonë “mafia, betoni, Sorosi”, e këto budallallëqet. Po të ishin këta për të bërë ndonjë punë, kishin ndërtuar ndonjë shkollë kur e kishin Tiranën në administrim, por këta nuk kanë ndërtuar asnjë shkollë. Kështu që, do u themi shkoni në shtëpi në datën 14 maj sepse ne do vazhdojmë ta çojmë Lanën deri në Kashar”, tha Veliaj.
Ndërkohë, kryebashkiaku përmendi se sapo janë mbyllur kontratat për marrëveshjet e asfaltimit të rrugëve dhe rrugicave si “Frosina Plaku”, “Babë Rexha”, “Kel Kodheli”, “Naim Frashëri”, “Androniqi Antoniu”, “Haxhi Dedë Reshat Bardhi”. “Do të asfaltojmë deri në rrugicën më të fundit të lagjes, si mënyra më e mirë për t’i bërë të gjitha me një dorë. Zona e Astirit është rritur jashtë mase, kështu që plani ynë fillestar për të ndërtuar një shkollë andej, një shkollë këtej, nuk mjafton. Kemi vendosur të ndërtojmë dy shkolla nga ana e Njësisë 7, një shkollë te Astiri, dhe një shkollë në Yzberisht, si e vetmja mënyrë që mos të lodhen fëmijët”, përfundoi Veliaj./abcnews.al/