Intervistimi i dëshmitarit të katërt po vazhdon në seancë të mbyllur

schedule13:43 - 12 Maj, 2023

schedule 13:43 - 12 Maj, 2023

Edhe një seancë e mbyllur për publikun po zhvillohet në gjykatoren e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në procesin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK).

Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, po dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të katër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS).

Dëshmitari që mban kodin 4748 është i mbrojtur dhe kjo është dita e tretë me radhë që dëshmia e tij po dëgjohet në seancë të mbyllur.

Për seancën e sotme është paraparë që ai të përgjigjet në kundërpyetjet e mbrojtjes së të akuzuarve.

Megjithatë, seanca në Hagë ka filluar me një urdhër nga kryegjykatësi Charles L Smith, i cili është dhënë po ashtu në seancë private.

Në procesin gjyqësor kandër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, deri tani janë dëgjuar tre dëshmitarë të prokurorisë.

Dëshmia e tyre nuk është bërë e ditur për publikun dhe të njëjtit kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse.

Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, kanë qenë të pranishëm në sallën e gjyqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ata po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

/KosovaPress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!