INTERVISTË/ Luftoi me paragjykimet dhe me mentalitetin e njerëzve: Kejsi Saliaj, qendërmbrojtësja e “demave të kuq” që ka idhull Van Dijk

schedule12:54 - 16 Mars, 2023

schedule 12:54 - 16 Mars, 2023

Kohët e fundit, në Shqipëri, ka filluar të praktikohet shumë futbolli për femra. Rasti më i fundit i një suksesi, ishte ekipi i Vllaznisë së femrave e cila mori pjesë për herë të parë në Champions League. Edhe pse rrugëtimi në grupe ishte tepër i vështirë, ato do të mbahen mend gjithmonë për këtë arritje historike.

Kejsi Saliaj është qendërmbrojtëse tek ekipi kryeqytetas i Partizanit për femra. 22-vjeçarja, e lindur më 17 janar të vitit 2001, me origjinë nga Fieri, është duke ndjekur ëndrrën dhe pasionin e saj. Në moshën 13-vjeçare, Kejsi shkeli në fushën e blertë për herë të parë me ekipin e Apolonisë së Fierit. Përkushtimi dhe dëshira e madhe e saj për të luajtur futboll, talenti dhe këmbëngulja, bëri që Kejsi më pas të transferohej tek ekipi i Partizanit për femra, aty ku ka 3 vite që vesh fanellën e “demave të kuq”.

Si qendërmbrojtëse, 22-vjeçarja është e fortë në lojën në ajër, ka forcë fizike dhe një rezistencë të madhe. Ajo gjithashtu ka edhe një mbrojtës të preferuar, nga i cili ajo mundohet të “vjedhë” nga pak prej karakteristikave të tij, holandezin Van Dijk.

Në një intervistë me gazetarin Hergi Llupi të Abcnews, Kejsi ka treguar përkushtimin e saj në këtë sport dhe jo vetëm, madje jep edhe një mesazh të fortë për të gjitha vajzat që duan të luajnë futboll.

Futbolli për ty është thjesht një pasion që e praktikon, apo e sheh veten si një lojtare edhe pas 5 vitesh?

“Futbolli për mua ka qenë pasion dhe ndoshta për pasion do e vazhdoj edhe në vitet në vazhdim. Gjithsesi, të ardhmes nuk i dihet asnjëherë.”

Çfarë të shtyu më shumë për të praktikuar këtë sport?

“Shtysa ime më e madhe ka qenë babai im i cili më ka marrë gjithmonë me vete në aktivitetet sportive që ai vetë ka zhvilluar.”

A ke ndonjë idhull në të cilin përpiqesh të marrësh shumë prej tij? Nëse po, kë?

“Në aspektin e karakteristikave në fushën e lojës, unë bazohem te mbrojtësi holandez, Van Dijk, në të cilin unë përpiqem të marrë sa më shumë prej tij dhe t’i praktikojë edhe më shumë në fushën e blertë. Por një nga figurat sportive që më ka motivuar shumë është Cristiano Ronaldo, historia e tij më ka motivuar shumë, që të mos dorëzohem pavarësisht vështirësive ekonomike. Ai ka treguar që me punë gjithçka është e mundur.”

Cili është objektivi yt kryesor që dëshiron të arrish në futboll?

“Objektivi im është që të fitoj sa më shumë dhe të përmirësoj performancën time individuale në fushën e lojës.”

Preferon më shumë të shënosh apo të asistosh gola?

“Preferoj të asistoj, edhe pse pozicioni im si qendërmbrojtëse nuk më jep shumë mundësi, por gjithmonë përpiqem të shkëputem nga kundërshtarët duke avancuar paksa dhe të përpiqem të nis topa të gjatë drejt sulmit. Por, emocioni që të jep goli që shënon është i papërshkrueshëm.”

Nëse do të kishe mundësinë të zgjidhje që të transferoheshe në një ekip tjetër, kë do të zgjidhje?

“Unë jam një tifoze e Interit, kështu që sigurisht që do të zgjidhja Interin.”

Më mirë në një ekip të vendit të parë dhe të ishe në stol çdo ndeshje apo në një ekip që rrezikon rënien nga kategoria, por të ishe lojtarja kyçe për të në çdo sfidë?

“Qëllimi im nuk janë trofet, preferoj një rol kyç me të cilin mund të ndikoj pozitivisht në rezultatet e ekipit dhe të përballem gjithmonë me kundërshtarë të fortë për të ndihmuar skuadrën time. E rëndësishme për mua është të jesh pjesë e një ekipi të motivuar dhe që japin maksimumin në çdo ndeshje.”

Me cilin ekip je tifoze?

“Në futbollin për klube bëj tifo për Interin, ndërsa me kombëtare me Argjentinën.”

Ke pasur pengesë nga familjarët për të nisur këtë sport, duke u bazuar te fakti se në Shqipëri është në zhvillim futbolli i femrave dhe kemi një mentalitet pak të prapambetur le të themi për këtë pjesë?

“Pak po, sepse mentaliteti i asaj kohe nuk e lejonte dhe ishte diçka shumë e re që gjykohej, jam detyruar disa herë të shkëputem për këtë arsye. Ndërsa tani, më duket sikur bashkë me kohën ka ndryshuar edhe mentaliteti, duke parë edhe zhvillimin që ka pësuar futbolli.”

Si është dita juaj e përgjithshme?

“Ditën e kam gjithmonë shumë të ngarkuar pasi paradite jam në punë, gjatë drekës në shkollë dhe pasdite jam në stërvitje. E vështirë, por nuk është e pamundur t’i balancosh të treja gjatë 24 orëve.”

Çfarë mesazhi do të jepje për të gjitha vajzat që duan të luajnë futboll?

“Luajeni futbollin dhe ndiqni pasionin tuaj. Mos lejoni askënd ta ndalojë apo ta kufizojë ndjenjën tuaj për këtë sport. Futbolli nuk është vetëm për djemtë, por është një lojë universale që mund të sjellë emocione të mrekullueshme dhe aventura të reja. Duke luajtur futboll, ju do të fitoni besim në vetvete, do të zhvilloni aftësitë tuaja sportive dhe sociale.”/ h.ll/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!