Interi qetëson tifozët për të ardhmen e Icardi

schedule14:35 - 14 Janar, 2019

schedule 14:35 - 14 Janar, 2019

Tifozët e Interit janë të shqetësuar për të ardhmen e kapitenit Mauro Icardi. Pas fitores në Kupën e Italisë, ata morën lajme të mira nga trajneri Spaleti dhe drejtori Marota.

Duhej të kishte qenë një konferencë shtypi për fitoren në Kupë. Gjithsesi, Interi ka plot halle të tjera, dhe trajneri Luciano Spalleti, u detyrua ta linte mënjanë suksesin 6-2 ndaj Beneventos, dhe të përgjigjej për çështje më urgjente. Problemi numër 1, e ardhmja e kapitenit Mauro Icardi.

“Është një lojtar i fortë që ndihet mirë tek Interi, – ishin fjalët e trajnerit, – dëshiron të takohet me drejtuesit, dhe ata janë gati të diskutojnë me të. Mendoj se do të jetë këtu me ne”.

Një lehtësim për tifozët vjen nga fjalët e drejtuesit Bepe Marota, që thekson, sipas “La Gazetta dello Sportit”, se Icardi nuk është një çështje, dhe se ai dëshiron që të qendrojë. Jo e vogël frika për një largim të mundshëm të qendërmbrojtësit Skriniar.

“Askush nuk ka aq para sa të na e marrë, – u trimërua Spalleti, – Skriniar mbetet me ne, nuk ka çmim për kartonin e tij”.

Veçse, flitet edhe për Mirandën që dëshiron të largohet.

“Zhoao nuk më ka thënë kurrë se dëshiron të ikë, – u betua tekniku toskan, – ka zëra, e di. Janë zëra nga miq e shokë, por që kështu na prishin punë”.

Spalleti nuk është nga ata që druhet për kritikat, mjafton të pyesni Françesko Tottin.

Ai deklaron se “në pjesën e parë, dyshja e sulmit Ikardi-Lautaro mund të bënte më mirë”, ndërsa nguc edhe Perishiçin që të ngrejë nivelin.

“Vrapon mjaft, ndihmon sulmin, por ka mundësi për më shumë, – theksoi trajneri, – kemi nevojë për cilësitë e tij të plota”.

Zikaltërit arritën në çerekfinale të Kupës së Italisë, ndërsa golat u shënuan nga Icardi me penallti, dy herë nga Antonio Candreva, një nga Dalbert, dhe dy të tjerë nga Lautaro Martinez. Interi mori vlerësime të larta edhe nga trajneri i shquar italian, Fabio Capello, i cili në “Tutosport” thekson se zikaltërit dhe Juventusi do të jenë mes klubeve më të mëdhenj europianë për shumë vjet!

Fatkeqësia e vetme ishte që sfida e Kupës u luajt në një stadium të boshatisur, pasi tifozët ishin dënuar pas thirrjeve raciste në ndeshjen ndaj Napolit.

“Inter mbush plot “San Siron” … me gola”, është titulli i “La Gazetta delo Sportit”.

Sukses i rëndësishëm, edhe pse ndaj një skuadre modeste si Benevento./abcnews.al