Interi fiton ndeshjen e dytë radhazi pa Icardi-n

schedule13:45 - 18 Shkurt, 2019

schedule 13:45 - 18 Shkurt, 2019

Interi arriti një fitore të rëndësishme në Serinë A, në mungesë të Mauro Icardi-t. Skuadra milaneze po kalon krizën e rezultateve dhe po forcon pozitat në zonën Champions.

Ishte prova e dytë pa ish-kapitenin, dhe kaloi gjithashtu mirë. Interi vazhdon të ketë jetë pa Mauro Icardi-n në skuadër, dhe fitorja ndaj Sampdorias në Serinë A shtoi moralin dhe vetëbesimin në një skuadër që kishte shumë nevojë për to. Nuk ishte e lehtë, u triumfua vetëm 2-1 dhe pse u luajt në “San Siro”, por rëndësi kishin tri pikët, sidomos në vijim të fitores ndaj Rapidit të Vjenës në Ligën e Europës.

Icardi, të cilit i është hequr shiriti i kapitenit pak ditë më parë në kulmimin e një krize të brendshme, e ndoqi takimin nga tribuna, në krah të gruas dhe menaxheres së tij, Wanda Narës, duke mos lënë të kuptoheshin emocionet. Danilo D’Ambrosio e Radja Naingolan ishin autorët e golave për zikaltërit, dhe Gabiadini barazoi përkohësisht për Sampdorian.

E gjitha kjo në pjesën e dytë, ndërsa para pushimit Interi nuk bindi.

“Skuadra pati karakter dhe reagoi pas barazimit, po ashtu tregoi karakter sepse e rriti lojën pas pushimit, – ishin fjalët e Spaletit, – sa për Ikardin, do të kisha dashur që ai të kishte qenë në skuadër, jo në tribunë. Për momentin, jemi në pozicion të mirë, por kush e di se çfarë do të ndodhë nesër? Rreziqet mund të jenë të shumta”.

“La Gazetta dello Sport” i jep një ngacmim Icardi-t: “Shiko Maurito, është një rreze drite”, duke bërë lojë fjalësh me emrin e Naingolanit, Raxha, që i afrohet fjalës italiane “rreze”.

Pritet të shihet nëse Ikardi do të largohet apo jo, ndërsa “Il Corriere delo Sport” e përshëndeti një ditë më parë me fjalën “lamtumirë”.

Ky ishte suksesi i dytë radhazi i Interit pa ish-kapitenin, pas atij të së enjtes në Vjenë për Ligën e Europës, me skuadrën që për momentin është pranë objektivave. Mban vendin e tretë në zonën Champions, por një shpresë e ka që të mbërrijë të dytin. Barazimi i Napolit në “San Paolo” ndaj Torinos, i jep shanse zikaltërve, edhe pse ata ndodhen 7 pikë prapa./abcnews.al