Interi arriti një fitore të vështirë në Serinë A, duke ndjerë mungesën e ish-kapitenit Mauro Ikardi. Skuadra milaneze mbetet në zonën Champions, edhe pse konkurrenca është shumë e fortë.
Në fushë po hyn pa pasur lojtarët që garanton golat. Shumë e vështirë këto kohë për Interin e trajnerit Luçiano Spaleti, I cili gjithsesi po përpiqet edhe në mungesë të ish-kapitenit Mauro Ikardi.
Një provë me vuajtje ndaj Spalit në ndeshjen e radhës në Serinë A, ndërsa golat erdhën vetëm në 25 minutat e fundit.
Zikaltërit sërish u dukën të goditur pa sulmuesin e tyre kryesor, duke bërë gabime të shumta, e duke qenë tepër të dobët në pjesën e parë.
Spaleti, edhe pse mendohet se nuk po e përballon dot presionin, i foli skuadrës në pushim dhe të paktën fitorja u arrit me rrjetat e shënuara nga Politano në minutën e 67-të dhe Galiardini në të 77-ën.
Kjo do të thotë mbajtje të paktën të vendit të katërt, që të kualifikon për në Champions, duke pasur 50 pikë, vetëm 1 më pak se Milani i vendit të tretë.
Gjithsesi, konkurrenca për Ligën e Kampionëve pritet të jetë e ashpër deri në fund, pasi edhe skuadrat e tjera nuk kanë hequr dorë.
Atalanta dhe Torino fituan që të dyja, duke pasur 44 pikë, vetëm 6 pikë më pak se milanezët.
Atalanta ia doli 2-1 në fushën e Sampdorias, një sukses i rëndësishëm, në një ndeshje ku portieri i kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, ishte në stol.
Po 2-1 ishte edhe fitorja e Torinos, arritur në stadiumin e Frozinones.
Edhe pse vendasit kaluan të parët në avantazh, sulmuesi kryesor i miqve, Andrea Beloti, realizoi dy gola për përmbysjen. /abcnews.al