Një ndryshim i rëndësishëm po ndodh në Serinë A. Dy nga skuadrat më të shquara, Milani dhe Interi, po kthehen në pretendime pas disa vitesh.
Kishte vite që nuk ishin të dyja kaq lart.
Përkundrazi, Milani dhe Interi prej kohësh cilësoheshin zhgënjimet e futbollit italian, por duket se tashmë kanë vendosur të ndryshojnë. Njëkohësisht, ashtu si kur dështonin, tani po fitojnë dhe po ngjiten në renditje, edhe pse ende jo në krye.
Milani triumfoi 3-1 në “San Siro” ndaj Kievos në Serinë A, dhe nëse fiton edhe një ndeshje që e ka të prapambetur, do të ishte ngjitur me vendin e dytë. Për fat, blerja e shtrenjtë Gonzalo Higuain po bën diferencën, ndërsa të rinjtë si Kutrone po konfirmohen.
Nisja e sezonit ishte e vështirë, por trajneri Gatuzo, nuk mendon kështu.
“Nuk kemi qenë kurrë në krizë, por thjesht na kanë munguar fitoret. Sërish po bëjmë gabime, por jam gati ta pranoj nëse i fitojmë ndeshjet 3-1. Më mirë të pranojmë rrezikun dhe të luajmë futboll sulmues. Për fat kemi Higuainin, që është një shënues i madh, ndërsa derbin do të firmosja edhe për ta fituar 1-0”, tha Gatuzo.
Po me Interin ç’po ndodh?
Kthimi pas 6 vitesh në Champions paska qenë një ndryshim i rëndësishëm për zikaltërit. Pas shumë sezonesh me dështime në Itali dhe në Europë, skuadra lombarde po synon lart në çdo front. U ngjit në vendin e tretë në Serinë A, pas fitores 2-1 në fushën e Spalit, ndërsa në Ligën e Kampionëve është në krye të grupit bashkë me Barcelonën me 6 pikë të plota.
Ndoshta ka bërë parashikim të saktë Luçiano Moxhi, për Interin që do të dalë kampion, ndonëse duket e tepruar, pasi Juventusi është tepër larg në krye.
Trajneri Spaleti nuk dëshiron të shikojë aq larg.
“Po reagojmë dhe kjo është diçka që nuk e kemi pasur më përpara. Më vjen mirë që nuk u vetëkënaqëm pas fitores në Champions, por luftuam fort, ndërsa u detyruam të bënim ndryshime. Po përmirësohemi gjithnjë e më shumë, diçka që e ka bërë edhe Ikardi. Përsa i përket derbit, le të mos flasim tani, por kur të vijë koha”, shpreh ai.
Mediat italiane nuk mund t’i linin mënjanë gjigandët.
“La Gazeta delo Sport”: Tango e Milanos! Bomberat argjentinas janë vrasës. Pas ndërprerjes, vjen derbi!
“Tutosport”: Ikardisimo, Interi është i treti! Suso e Higuain, është shfaqje e Milanit!
“Il Korriere delo Sport”: Milano është që tani e nxehtë! Interi e Milani fitojnë me Ikardin e Higuainin. Pas kombëtareve, vjen derbi!
Seria A mund të ndihet më mirë, sepse tashmë anti-Juventus nuk do të jenë vetë Napoli e Roma, por besohet dy gjigandët e Milanos./abcnews.al