Sulmuesi i Paris Saint Germain, Edinson Kavani është një opsion për skuadren e Interit, nëse zikaltërit nuk arrijnë marrëveshjen me Lukakun.
Inter kërkon të jetë i përgatitur në rast se dështon transferimi i sulmuesit të Manchester United, Lukaku. Sipas asaj që raporton Corriera Dello Sport, drejtuesit e klubit zikaltër kanë vendosur në shënjestër sulmuesin e Paris Saint Germain, Edinson Kavanin. Bomber uruguajan është 32 vjeç dhe nuk premton për të ardhmen, por mund të luajë pa problem për dy sezone nën urdhrat e trajnerit Antonio Konte. El Matador është golashënuesi më i mirë i PSG me 193 realizime në pesë sezone të luajtura në Francë.
Aktualisht Kavani përfiton plot 12 mln euro në sezon, ndërkohë që mësohet se ka pranuar një ulje page për të kaluar tek Interi. Zikaltërit janë të gatshëm të plotësojnë kërkesën e Kavanit për një pagë prej 9 mln euro në sezon. Transferimi i Kavanit përkthehet në një kosto më të vogël për arkat e klubit të Interit, pasi për Lukakun operacioni i kalon 100 mln euro përfshi transferimin dhe pagën e lojtarit.
Inter është kompletuar në fazën defensive dhe repartin e Mesit të fushës, ndërkohë që faza ofensive është ende e pa kompletuar. Në kampin zikaltër po punojnë për të kompletuar skuadrën dhe për të qenë gati para nisjes së sezonit të ri. /ABC News Albania 24/7