Inter niset si favorit/ Serie A ngre siparin, zikaltërit janë skuadra për t’u mundur

schedule13:53 - 16 Gusht, 2024

schedule 13:53 - 16 Gusht, 2024

Në sezonin e fundit nuk kishte rivalë. Inter dominoi Serinë A duke ngritur në fund edhe trofeun e titullit kampion.

Në vigjilje të edicionit të ri të kampionatit italian, zikaltërit mbeten skuadra për t’u mundur. Kompanitë e basteve dhe ato që merren me statistikat i japin interistëve kuotat më të larta në edicionin 2024/2025 të Serie A, të cilin do ta hapin pikërisht ata të shtunën në mbrëmje me transfertën kundër Xhenoa.

Trajneri Inzagi nuk lejoi largimin e asnjë prej të besuarve të tij, ndërsa me ekipin janë bashkuar Zielinski në mesfushë dhe Taremi në sulm. Merkato nuk është mbyllur, por që tani Inter është i plotë në misionin e tij për të mbrojtur “Skudeton”.

Gjithsesi, rivalët e mëdhenj nuk kanë qëndruar duarkryq.

Milan, Juventus dhe Napoli kanë ndryshuar thuajse nga themelet skuadrat e tyre.

“Zonja e Vjetër” nuk do një tjetër sezon në linjën e dytë dhe kjo konfirmohet nga ulja në pankinë e Tiago Mota si dhe nga lëvizjet në merkato, që priten të finalizohen me Kopmeiners si goditja më e madhe.

I njëjtë diskutimi për Milan.

Kuqezinjtë ka realizuar katër objektivat më të rëndësishëm në tregun e transferimeve. Pas Morata, Pavloviç, Emerson Rojal, blerja e fundit ishte ajo e Jusuf Fofana.

Sinjalet e para u dhanë në javët e fundit, ku mes turneut veror dhe trofeut “Berluskoni”, “Djalli” I ka fituar të gjitha ndeshjet me Paulo Fonseka në pankinë.

Pak më pas qëndron Napoli. Antonio Konte në drejtim të skuadrës është në garanci, por napolitanët presin Romelu Lukaku në sulm për të shtuar gola dhe muskuj në misionin për të sfiduar të mëdhenjtë e futbollit italian./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!