Inter largon krizën në Serie A. Pas dy humbjeve radhazi që tronditën besimin në nisje të këtij sezoni, skuadra zikaltër u kthye te fitorja, duke kaluar 2-1 Sassuolo.
Rezultati i ngushtë tregon qartë se sfida në “San Siro” nuk ishte aspak e lehtë për të zotët e shtëpisë.
E megjithatë, ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për interistët, që gjetën epërsinë që në minutën e 14-të.
Dimarco ndali topin në rrjetë për të ndezur festën e tifozëve zikaltër.
Të besuarit e Kristian Kivo provuan të shënojnë edhe golin e qetësisë, por deri në fund të pjesës së parë u përballën me murin e ngritur nga Aro Muriç, portieri i Kosovës që mbajti në lojë Sassuolo.
I njëjti diskutim edhe pas pushimit.
Por në minutën e 81-të, Muriç do të dorëzohej në autogolin e Muharemovic, që i dhuroi dyfishimin Inter.
Gjithsesi, zikaltërit nuk janë mësuar me fitore të lehta.
Vetëm tre minuta më pas, Chedira rihapi sfidën, duke mbajtur në ankth vendasit.
Çlirimi erdhi vetëm me vërshëllimën e fundit të arbitrit që vulosi fitoren e 2-1 të Inter.
Një sukses i rëndësishëm për skuadrën zikaltër, që jo vetëm ndërpret serinë negative, por kthehet sërish në ndjekje të favoritëve të tjerë, me gjashtë pikë pas katër sfidave të para të sezonit në Serinë A./abcnews.al

