Inter gati të “blindojë” Lautaron, klubi përgatit klauzolën “faraonike” për kapitenin zikaltër

schedule11:37 - 24 Tetor, 2023

schedule 11:37 - 24 Tetor, 2023

Lautaro Martinez është bërë një simbol i Interit, sidomos këtë sezon ku me shiritin e kapitenit në krah dhe me golat e shumtë që është duke shënuar, po merr përpara të gjithë ekipin drejt sukseseve.

Një performancë e tillë në fushë dhe në dhomat e zhveshjes, sigurisht që vë në punë drejtuesit e klubit për të siguruar shërbimet e argjentinasit edhe për disa vite të tjera.

Kontrata aktuale e Lautaros me Interin skadon në vitin 2026, dhe klubi po punon për ta rinovuar atë, për të vlerësuar performancën e tij, por edhe për të mbajtur larg klubet e mëdha europiane të cilat kanë kohë që monitorojnë situatën.

Sipas mediave italiane, Inter dëshiron të rinovojë kontratën e argjentinasit deri në vitin 2028 dhe një rritje page prej 6 milionë eurove që merr, në 7.5 milionë. Gjithashtu, drejtuesit e klubit po planifikojnë të vendosin një klauzolë lirimi prej 180 milionë euro, një shifër tepër e lartë e cila vlen për të mbajtur larg klubet e mëdha.

Lautaro e ka shprehur disa herë dashurinë për fanellën e Interit, ku ka theksuar se gjëja e vetme që do është që të qëndrojë zikaltër për shumë vite të tjera, ndoshta për t’u bërë një ikonë ashtu sikur bashkëkombasi i tij legjendar, Javier Zanetti./h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!