Pranvera nuk vjen me një lule, dhe këtë film e kemi parë edhe më parë.
Interi e nisi Serinë A me një sukses të madh, 5-0, përballë Torinos në “San Siro”, dhe më shumë se 75 000 tifozët në stadium padyshim që ishin të lumtur.
Trajneri Kristian Kivu hyri në kampionat me këmbën e djathtë, siç thuhet, dhe shpresa është që të harrohet katastrofa në finalen e Championsit, me humbjen 5-0 ndaj PSG-së, por sidomos që të fitohen trofe.
Nga ajo që u pa, objektivat mund të arrihen.
Markus Turam ishte më I miri në fushë, dhe jo vetëm sepse shënoi dy gola, ndërsa kapiteni Lautaro Martinez e tundi një herë rrjetën.
Dyshja e sulmit duket “top”.
Në mesfushë, kroati Suçiç nuk bëri të qahej mungesa e mjeshtrit Çalhanoglu, ndërsa presingu ishte asfiksues që në fillim.
Bastoni shënoi në 18’, Turam dyfishoi që në pjesën e parë, ndërsa pas pushimit, Lautaro realizoi në 51’, Turam në 62’ dhe Boni mbylli spektaklin gati 20 minuta para fundit.
“Dallga Inter, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, – super nisje e Kivut, 5 gola Torinos! Spektakël I Turamit, shënojnë Lautaro, Bastoni, Boni, paraqitje e bukur nga Suçiç! Asllani te “granatat”!”
“Një manitë fshin tjetrën, – ngushëllohet “Il Korriere delo Sport”, – Interi provon të harrojë Mynihun dhe asfalton Torinon, 5-0! Spektakël nga Kivu! Çfarë filmi me Turam-Lautaro!”
Kristian Kivu është një trajner pa përvojë, por pjesë e Interit të madh të Murinjos, e ndoshta do ta ketë karakterin që të mos lejojë një dështim si ai i sezonit të kaluar.

