Ajo që ndodhi fundjavën e kaluar jep shpresë. Interi triumfoi 3-0 në stadiumin “Olimpiko” të Romës në sfidën e Serisë A, dhe do të luajë sonte në të njëjtin impiant dhe ndaj të njëjtit kundërshtar, Lacios, në finalen e Kupës së Italisë.
Zikaltërit padyshim që janë favoritë, dhe jo vetëm për shkak të suksesit të thellë me golat e shënuar nga Lautaro Martinez, Petar Suçiç dhe Henrik Mkitarian.
Inter synon të kompletojë suksesin në futbollin italian. Të shtunën e kaluar të 9 majit siguroi titullin kampion pikërisht me suksesin lacialëve, ndërsa tani kërkohet edhe Kupa.
Fitore të dyfishtë ia ka dalë edhe më parë, si në 2006 e 2010, e nën drejtimin e Zhoze Murinjos morën edhe Championsin.
Si vijnë dy skuadrat në finalen e orës 21:00? Lombardët kanë vetëm një mungesë të rëndësishme, mesfushorin titullar Hakan Çalhanoglu që nuk ka kaluar ende dëmtimin.
Trajneri Kristian Kivu mendon për mesfushën me lojtarë si Barela, Zielinski e Mkitarian. Lajmi i mirë është që sulmuesi Turam u kthye pikërisht nga lëndimi dhe francezi do të krijojë dyshen e rrezikshme të sulmit me kapitenin Lautaro Martinez.
Lacio e trajnerit Mauricio Sarri ka një shans për të shpëtuar një sezon të tmerrshëm, me ekipin në vendin e 9-të dhe jashtë çdo objektivi. Katastrofa ndaj zikaltërve në kampionat duhet harruar sa më shpejt, ndërsa pozitiv është fakti që lojtarë si Xakanji e Kataldi janë kthyer nga dëmtimi.
Romanjoli do të luajë pavarësisht të kuqit në Serinë A, ndërsa problem është kriza në portë, pasi gardiani titullar Provedel është i lënduar. Interi lufton për të fituar Kupën e 10-të të Italisë, ndërsa kryeqytetasit të 8-ën./abcnews.al


