Inter, dështim botëror/ Zikaltërit eliminohen në 1/16, Fluminense fiton 2-0

schedule12:35 - 1 Korrik, 2025

schedule 12:35 - 1 Korrik, 2025

Ja pra që dikush duhej të mbetej. Ky dikush është Fluminense, skuadra nga Rio de Zhaneiro, që do të vazhdojë ta mbrojë nderin e Brazilit në Kupën e Botës për Klubet.

Në stadiumin me emrin imponues “Banka e Amerikës” në Sharlotë, valixhet I bëri gati Interi, njëra nga ato skuadra të Europës që pritej të ishte pretendente për trofeun.

Fluminense ia doli me zgjuarsi dhe cinizëm, duke e lënë ekipin zikaltër që të bënte lojën, e duke u bazuar te kundërsulmi dhe goditjet e shpejta.

Që në 3’ kaloi në epërsi me golin e shënuar nga Zherman Kano, dhe më pas nuk lejoi që Interi të konkretizonte epërsinë.

Rezultati u vulos vonë, në minutën e 3-të shtesë nga Herkules, ndërsa dështimi u ndje shumë në Itali.

Natyrisht, kritikave nuk mund t’i shpëtonte as Kristian Asllani që ishte titullar, ashtu siç nuk shpëtuan edhe të tjerët.

“Eurosport” I dha notën e dobët 4.5, ndonëse vetëm të tillë si Barela, Suçiç, Zomer apo Karboni ishin më të vlerësuar sesa ai.

Shqiptari u cilësua që bëri gabime të shumta, ndërsa mori edhe të verdhë.

Më pozitiv “Skaj Sporti” me një notë mjaft më të lartë, 5.5, edhe pse jo mjaft e mirë.

Shigjetimet më të mëdha I mori mbrojtja, që pësoi dy gola.

Ndërkaq, një kunj për interistët erdhi nga kapiteni I Fluminenses, Tiago Silva, ish-lojtar I Milanit që luan edhe në moshën 40-vjeçare.

“Gjithë kohën mendoja për këtë, mendoja për Milanin. Jam I sigurt që tifozët milanistë sot janë të kënaqur. Ishin me ne, pra kjo fitore është edhe për ata”.

Fluminense shpreson të arrijë gjysmëfinale, ndërsa në 4 korrik luan përballë ekipit të Arabisë Saudite, Al Hilal, që shkaktoi të papriturën e madhe duke eliminuar Mançester Sitin.

Kjo sfidë dhe të tjerat, ashtu si që nga fillimi i Botërorit për Klube transpetohen eksluzivisht në Digitalb Supersport.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!