Agjencitë evropiane të inteligjencës nuk kanë identifikuar asnjë shenjë se Rusia po përgatitet për një sulm ushtarak ndaj vendeve evropiane anëtare të NATO-s, deklaroi të enjten një zyrtar i lartë evropian.
“Agjencitë evropiane nuk shohin rrezik për një sulm rus ndaj vendeve evropiane”, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti.
Deklarata vjen në një kohë kur në Shtetet e Bashkuara janë shtuar shqetësimet për mundësinë që Moska të përpiqet të testojë reagimin dhe unitetin e NATO-s.
Mediat amerikane raportuan se drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, gjatë vizitës së tij në Moskë këtë javë, synoi të paralajmëronte Rusinë kundër çdo sulmi ndaj një vendi anëtar të NATO-s.
Wall Street Journal dhe CBS raportuan se vizita lidhej me vlerësimet e inteligjencës amerikane, sipas të cilave Moska mund të përpiqet të testojë Aleancën përmes veprimeve që do të vinin në provë reagimin e saj.
Kremlini ka mohuar se Rusia po përgatitet për një përballje të drejtpërdrejtë me NATO-n. Ndërkohë, shqetësimet perëndimore lidhen edhe me mundësinë e veprimeve hibride, sulmeve kibernetike apo incidenteve të tjera që mund të synojnë të testojnë kufijtë e reagimit të Aleancës.
Megjithatë, sipas vlerësimeve aktuale të agjencive evropiane të inteligjencës, nuk ka indikacione për një sulm të drejtpërdrejtë ushtarak rus ndaj vendeve evropiane anëtare të NATO-s.

