Bashkëthemeluesi i gjigantit të teknologjisë Apple, Steve Wozniak, paralajmëroi se inteligjenca artificiale mund t’i bëjë mashtrimet dhe dezinformatat vështirë të dallueshme.
Duke folur në një intervistë për BBC-në, ai tha se ka frikë se teknologjia do të shfrytëzohet nga “aktorë të këqij”, shkruan REL.
“Inteligjenca artificiale është aq inteligjente dhe e hapur për aktorë të këqij – për ata që duan t’ju mashtrojnë se kush janë”, tha Wozniak.
Ai tha se nuk beson se inteligjenca artificiale do t’i zëvendësojë njerëzit, sepse i mungojnë emocionet, por paralajmëroi se ajo do t’i bëjë “aktorët e këqij” edhe më bindës, sepse, siç tha, programet si ChatGPT mund të krijojnë tekste që “tingëllojnë aq inteligjente”.
Wozniak shtoi se përmbajtja e inteligjencës artificiale duhet të etiketohet qartë.
Sipas tij, përgjegjësia për çdo gjë të krijuar nga inteligjenca artificiale dhe më pas të postuar në publik, duhet t’u mbetet atyre që e publikojnë.