“Nuk jam fare i kënaqur me faktin që nisja e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut vazhdon të jetë e bllokuar”. Si një “shuplakë” ndaj Bullgarisë është interpretuar kjo deklaratë e kryeministrit holandez Mark Rutte në samitin e Brdos në Slloveni.
Holanda nga një prej vendeve më skeptike ndaj zgjerimit tashmë është pro nisjes së negociatave dhe Rutte u shpreh haptazi i pakënaqur me qëndrimin e Bullgarisë, vetoja e së cilës ka ngrirë çeljen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut me BE-në, e po mban peng edhe Shqipërinë.
“Duhet të presim zgjedhjet në Bullgari, por nuk jam fare i kënaqur me faktin që nisja e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut vazhdon të jetë e bllokuar. Mendoj se negociatat duhet të zhbllokohen sa më shpejt të jetë e mundur. E dimë që kjo do të ndodhë, me shpresë, pas zgjedhjeve në Bullgari. Do të përpiqemi të bëjmë gjithçka që mundemi për ta realizuar një gjë të tillë”, tha Rutte.
Lidhur me veton ndaj Maqedonisë së Veriut foli edhe vetë presidenti bullgar, Rumen Radev. Ai tha se përderisa “maqedonasit nuk e pranojnë historinë ashtu siç bënë më Greqinë, atëherë nuk mund të thonë “po” për negociatat. Be.K/abcnews