“Institucionet kanë dështuar”, Tedi Blushi: Dy muaj më parë, “blogerë” të huaj kanë hyrë në Pashaliman

schedule09:42 - 22 Gusht, 2022

schedule 09:42 - 22 Gusht, 2022

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka thënë se dy muaj më parë dy shtetas të huaj kanë hyrë në bazën ushtarake të Pashalimanit.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Blushi thotë se institucionet kanë dështuar sepse askush nuk i ka ndaluar “bolgerët” e huaj që “kanë bërë çfarë kanë dashur në Pashaliman, një nga bazat kryesore ushtarake detare të Shqipërisë”.

Reagimi i plotë:

INSTITUCIONET KANË DËSHTUAR: “Blogerët” kanë hyrë në Pashaliman! Kryeministri ia ofroi NATO-s në maj 2022 për bazë të sigurtë!

Vetëm dy muaj më parë “blogerë” të huaj, me shtetësi dhe kombësi të panjohur zyrtarisht, kanë hyrë në bazën ushtarake të Pashalimanit.

Këto foto janë një tjetër dëshmi e kapitullimit të institucioneve!

Janë fotot e turpit dhe të papërgjegjshmërisë ekstreme të Kryeministrit, Ministrit të Mbrojtjes, SHISH, Policisë së Shtetit, Antiterrorit dhe çdo strukture tjetër të ngarkuar me ligj për mbrojtjen e Sigurisë Kombëtare.

Institucionet kanë dështuar për faqe të zezë sepse askush nuk i ka ndaluar, as i ka pyetur dhe as u ka kërkuar sqarime “blogerëve” të huaj që kanë bërë çfarë kanë dashur në Pashaliman, një nga bazat kryesore ushtarake detare të Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s.

Kur “blogerë” apo “turistë” janë të aftë të thyejnë në çdo kohë filtrat e sigurisë të bazave tona ushtarake, të filmojnë dhe të marrin prej andej çfarë të duan, imagjinoni ç’mund të bënin armiq të NATO-s, grupet terroriste apo aktorë të tjerë që duan të dëmtojnë Sigurinë tonë Kombëtare dhe të destabilizojnë rajonin.

Skandali thellohet çdo ditë dhe vë përpara përgjegjësisë direkte vet Kryeministrin, që në maj të këtij viti ia ofroi NATO-s, Bazën Ushtarake të Pashalimanit, me garancinë e një baze detare të sigurt!

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!