Viti 2020 u mbyll me 20 për qind më pak humbje jete nga aksidentet në raport me një vit më parë. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave për aksidentet reflektojnë efektin e karantinës kur u vu re një rënie e numrit të aksidenteve për shkak të kufizimit të lëvizjeve. Po kështu të njëjtat kufizime të të vendosura në dhjetor duket se kanë pasur një efekt edhe në këtë muaj.
“Në muajin dhjetor 2020 numërohen 113 aksidente rrugore nga 135 aksidente të ndodhura në muajin dhjetor 2019, duke u ulur me 16,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në vitin 2020, numërohen 1.234 aksidente rrugore nga 1.498 aksidente të ndodhura në vitin 2019, duke u ulur me 17,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në muajin dhjetor 2020, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 147 persona nga 187 që ishte një vit më parë, duke u ulur me 21,4 %. Numri i të aksidentuarve në vitin 2020, është 1.598 persona nga 2.044 persona, duke u ulur me 21,8 %, krahasuar me vitin 2019.Në muajin dhjetor 2020, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 13 persona nga 24 persona të vdekur në dhjetor 2019. Në vitin 2020, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 181 persona nga 227 persona në të njëjtën periudhë të një viti më pare” njoftoi INSTAT.
Sjellja e drejtuesve të mjetit vijon të mbetet arsyeja kryesore e aksidenteve. Në muajin dhjetor 2020, në 81,4 % të rasteve, shkak i aksidenteve ishte pikërisht kjo sjellje. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 30,1 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 2,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Këmbësorët nga ana tjetër duket se janë ndërgjegjësuar më shumë. Në vitin 2020, aksidentet rrugore, në 14,5 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 17,9 %, krahasuar me një vit më parë./Monitor