“Inskenoi” rënien nga avioni për të marrë klikime, dënohet me burg blogeri

schedule11:44 - 5 Dhjetor, 2023

schedule 11:44 - 5 Dhjetor, 2023

Një rast mjaft i veçantë dhe i paprecedentë që përfshin një ‘YouTuber’, i cili dyshohet se rrëzoi avionin e tij me qëllim për të fituar shikime dhe popullaritet në internet duke promovuar “shpëtimin” e tij, ka përfunduar në gjykatë.

Siç raporton BBC, 30-vjeçari Trevor Jacob u dënua me 6 muaj burg për aktin e mësipërm, si dhe për faktin se kishte dhënë dëshmi të rreme në kuadër të marrjes në pyetje nga autoritetet amerikane.

Ngjarja kishte ndodhur në dhjetor 2021, kur Jacob kishte postuar një video të rrëzimit të avionit duke lënë të kuptohet se ishte një aksident. Ai, në fakt, kishte regjistruar me një shkop selfie momentin kur u ul në tokë. Videoja në fjalë është parë nga miliona shikues në mbarë botën.

Në kuadrin e procesit ligjor, Jacob argumentoi se videoja ishte realizuar në kuadër të një bashkëpunimi që ai kishte kryer për të promovuar një produkt.

Jacobs “ka të ngjarë të ketë kryer këtë vepër për të tërhequr vëmendjen në mediat sociale dhe për të fituar përfitime financiare”, thanë të hënën prokurorët federalë në Kaliforni.

Në nëntor 2021, Jacob po ngrihej nga një aeroport në Santa Barbara me kamera të montuara në aeroplan. Bashkë me kamerat, Jacob kishte marrë me vete një parashutë dhe një shkop selfie. Avioni u rrëzua në pyllin Los Padres 35 minuta pas ngritjes.

Jacob më pas ngarkoi videon në YouTube më 23 dhjetor, e cila shfaqte një promovim produkti.

Disa nga shikuesit e videos u shfaqën skeptikë në komente, duke theksuar se Jacob tashmë kishte veshur një parashutë dhe nuk bëri asnjë përpjekje për të ulur avionin në mënyrë të sigurt. Videoja mblodhi gati tre milionë shikime përpara se të hiqej nga platforma./abcnews.al