Inskenimi, si u ekzekutua Çaka në Elbasan, Klodiana Lala: Bota e krimit, stafeta dhe dy pistat

schedule20:24 - 18 Maj, 2021

schedule 20:24 - 18 Maj, 2021

Emisioni VETTING

Ekzekutimet mafioze prej 20 marsit kanë përfshirë disa qytete të vendit. Bandat kriminale duket se janë në “fushatë’ dhe po ngutën që të lajnë hesapet mes tyre. Krimet e ndodhura gjatë këtyre 25 ditëve në Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Shkodër përveçse  prishjes së pazareve të drogës dhe hakmarrjes kanë edhe si motiv politikë, duke qenë se vendi ishte në fushatë zgjedhore.

Por mbarimi i saj nuk e ka zbehur aspak egërsinë e krimit i cili ka marrë revansh, ndërsa agjencitë e sigurisë në shumicën e ngjarjeve nuk kanë mundur të identifikojnë autorët edhe pse pistat janë të njohura dhe bëhen publike brenda disa orëve.

Në datë 12 Maj Everest Çaka do të ekzekutohej në lagjen “Skënderbej” brenda makinës dhe në sy të gruas së tij. Emisioni “Vetting” bazuar te provat e organeve të drejtësisë inskenoi momentin e vrasjes së 41-vjeçarit që tronditi Elbasanin. Autorët e goditën nga pas me makinë duke krijuar idenë e një aksidenti.

Por kjo ka qenë pjesë e planit të tyre për të bërë të mundur ekzekutimin me rreth 15 plumba duke e lënë të vdekur në vend. Ndërsa bashkëshortja e tij Silvana  u plagos në dorë pa rrezik për jetën e saj. Edhe në këtë rast viktima është i skeduar nga policia dhe për ngjarje mjaft të rënda të ndodhura në qytetin e Elbasanit.

Ndërsa rezulton të jetë i përfshirë edhe në trafikun e drogës në vendet e Bashkimit Europian, kryesisht në Spanjë. Policia për këtë vrasje ka dy pista njëra lidhet me hakmarrjen, pasi vëllai i Everest Çakës është vrarë në Spanjë vite më parë.

Ai ka pasur më herët emrin Ibrahim dhe e ka ndryshuar për shkak të përfshirjes në aktivitet kriminal. Pista e parë është ajo e hakmarrjes, pasi Everest Çakës iu vra vëllai në Spanjë dhe më pas pati një seri hakmarrjes me fisin Mahmutaj” tha Klodiana Lala.

Pista e dytë është ajo e trafikut të drogës në vendet e Bashkimit Europian. 41 vjecari është kushëri i Arjan Spahiut ekzekutuar në Belgjikë disa muaj më parë dhe dyshohet se ai drejtonte një organizatë kriminale e cila sillte kokainë në Europë.

Hetuesit e lidhin me këtë ngjarje dhe janë duke ecur më shumë pas kësaj piste pasi kishte dyshime të forta që Everest Çaka, pas arrestimit të Erion Alibejt, stafeta e grupit ishte marrë Arjan Spahiu dhe në momentin që ai u ekzekutua mendohej që vendin e tij e kishte zënë Everest (Ibrahim) Çaka dhe ka dyshime se mund të ketë ndodhur për këtë arsye, por hetimi mund të nxjerrë detaje që mund të përmbysë këto dy pista. Ishte një personazh i njohur në Elbasan, pasi ishte dyshuar për vrasje për shkak se ishte vrarë vëllai dhe kushëriri, ishte skeduar për çështje narkotike, por nuk kishte ndonjë rol të madh të botës së krimit në Elbasan, pasi aktiviteti i tij ishte jashtë vendit” tha gazetarja Klodiana Lala.

Por përse nuk zbardhjen ngjarjet kriminale? “Problemi i mos zbardhjes së ngjarjeve kriminale është shumë i thellë ka të bëjë me kriminalizimin deri në palcë të policisë shqiptare. Fakti që vetë zyrtarë të policisë janë të paaftë për t’u përballur me krimin në disa raste dhe në raste të tjera të përfshirë vetë, sigurisht që ne nuk mund të presim që këto ngjarje të zbardhjen. Kemi punonjës policie që janë pjesë e strukturave për shkak se janë militantë dhe kjo kategori janë të paaftë, kemi punonjës që ulin kokën pa i krijuar probleme vetes, kemi nga ata që kanë guxuar dhe që ose janë vrarë ose janë pushuar nga policia e shtetit” tha ajo./ db/Abcnews.al