Detaje të reja për hetimet që prokuroria e Pukës po kryen lidhur me inskenimin e vdekjes së Davide Pecorellin.
Mësohet se nga verifikimet e kryera deri më tani, hetuesit dyshojnë se biznesmeni italian është ndihmuar nga një prift në vendin tonë. Ky prift mendohet se ka kryer ndërmjetësimin mes Pecorellit me priftërinjtë e tjerë që ndodheshin në një manastir në Medugorje, në Bosnjë.
Që prej fillimit të ngjarjes prokuroria ka marrë në pyetje 13 persona, mes te cilëve edhe të dyshuar që kanë ndihmuar të kalojë kufirin.
Ndërkohë Davide Pecorelli, ka treguar për autoritetet italiane se është i zhytur në borxhe. Gjatë marrjes në pyetje nga prokurori Raffaele Cantone, ish-gjyqtari italian i futbollit është shprehur: “Vendosa që të zhdukesha sepse jam i zhytur në probleme ekonomike. Jam praktikisht i rrënuar.”
Për gati nëntë muaj ai qëndroi i fshehur ndërsa familjarët i kishin humbur shpresat se mund ta shihnin të gjallë. Zyra e prokurorit ka bërë të ditur se në historinë e tij ka detaje tragjike.
/abcnews.al/