Një insekt po dëmton pishat e buta përgjatë bregut të Adriatikut, duke shkaktuar tharjen e tyre. Ekspertët e agjencisë Kombëtare te Mjedisit e vlerësuar si shqetësuese situatën në zonën e Qerretit.
Siç shihet në këto pamje pishat e buta janë drejt tharjes së plotë. Insekti është përhapur me shpejtësi.
Ky insekt, i njohur si breshkëza e pishës është me origjinë nga Amerika e Veriut. Shqipëria është vendi i parë në ballkanik dhe i treti ne Evropë pas Francës dhe Italisë që konfirmon praninë e tij.
Situata ka shqetësuar banorët. Shumica aplikojnë prerjen e degëve të thara.
“Po t’a lesh makinën këtu nxihet bëhet sterrë. Këto po i pastrojmë, shiko sa të thara janë”, u shpreh një nga banorët e zonës, Lulzim Krasniqi.
Kjo është një pishë e infektuar. Dëmtimi i saj duket në të gjithë trungun, ku e gjelbër ka mbetur vetëm kurora. Këtu jemi në vatrën e parë të zbuluar në vitin 2023, që më pas u përhap me shpejtësi edhe në brezin pyjor në Malin e Robit dhe Golem.
Pisha e dëmtuar ka praninë e një lëngu ngjitës, i njohur si “vesa e mjaltit” dhe shfaqjen e mykut të zi në trung dhe degë.
Në vendin e origjinës në Kanada, ky insekt nuk shkakton shumë dëme. Dhe sipas ekspertëve të pyjeve në vendet mesdhetare, përfshirë edhe Shqipërinë, duket se janë ndryshimet klimatike që po i krijojnë kushtet e favorshme këtij insekti për të vepruar duke shkatërruar brezin pyjor të pishave.
“Është një insekt shumë i dëmshëm. Jo se nuk jeton dhe në pishat e tjera, prek edhe pishën e egër, por të pisha e butë specifikisht është një dëmtues shumë i dëmshëm, shkakton tharjen graduale deri në tharjen e plotë të pishës”, tha Ramiz Metaliaj.
Më problematike situata bëhet gjatë stinës së verës, ku temperaturat janë tepër të larta. Kjo ka sjellë shqetësim tek banorët dhe operatorët turistikë në zonë.
“Pasojat më të mëdha i ka shkaktuar vjet në verën e 2024, ku ka pasur rrjedhje masive i një lëngu të zi, që ndot ambientin dhe than halat e pishës”, shtoi Kostaq Thimo.
Situata ka agravuar në këto dy vite, ndërsa për banorët e Qerretit dhe fshatrave të tjerë turistikë përgjatë bregdetit të Kavajës humbja e sipërfaqes së brezit pyjor të pishave do të ndikonte drejtpërdrejt në aktivitetin turistik të zonës.
“Është e pamundur të kalosh në rrugë se pikojnë si pika shiu. Ikja e pyllit i bie vlera”.
Shqetësimin shtohet se fenomeni i tharjes së pishës së butë do të vijojë të përhapet me shpejtësi, përgjatë vijës së Adriatikut.
“Do zgjerohet edhe në gji të Lalzit, më vonë do të shkojë edhe në Velipojë, Shëngjin, do zbresë edhe në jug. Është një fenomen që do përhapet”
Vitin e kaluar në Qerret mbërritën një grup ekspertësh italianë, të cilët bënë injektime ne trungun e pishës për eliminimin e insektit shkatërrues.
“Aplikuan një endoterapi, duke injektuar në trungun e drurit insekticidin. Injektimi bëhet nëpër vrima te hapura. Kjo metodë është efikase, por nuk mund të aplikohet në masiv të madh pyjor vetëm në bimë të veçanta, por kostoja është e lartë, duke te 60 euro për një pishë”
Ekspertët italianë ishin në bregdetin e Qerretit dhe Golemit edhe disa ditë më parë, ku morën mostrat për t’i analizuar në laboratorin gjenetik të Firences.
Ramiz Metaliaj pedagog pranë fakultetit të Pyjeve në universitetin bujqësor të Tiranës, thotë se ekspertët shqiptarë të mjedisit janë duke marrë nga përvoja italiane për të aplikuar edhe të tjera metoda për të eliminuar insektin që po shkatërron pyllin e pishave.
“Mbase luftimi që po përpiqen të aplikojnë italianët është nëpërmjet një insekti tjetër grabitqar, mund të japë rezultate të mira në Itali. Pasi ata ta provojnë. I kemi kapacitetet për të bërë kontrollin biologjik. Sa me shpejt te jete e mundur të fillojmë kontrollin biologjik, deri sa të neutralizohet gjendja. Nëse këto masa nuk japin rezultat, ka një zgjidhje të fundit. Jemi të detyruar të heqim pishën e butë, te tjerat janë me rezistente dhe ta zëvendesojmë”
Shumica e pishave mesdhetare në Shqipëri u mbollën gjatë viteve ’60-’70, si barriera mbrojtëse kundër erozionit detar, për të mbrojtur tokat bujqësore nga kripëzimi.
Brezi rreth 200 km i gjatë shtrihet nga Velipoja në Vlorë. Pas viteve ’90, për shkak të zhvillimit të aktiviteteve turistike dhe ndërtimit ky brez pyjor u rrallua.