Nga Spartak Ngjela
Ky që po kalojmë është një moment i rëndësishëm historik, për Shqipërinë dhe për shqiptarët.
Moment historik quhet segmenti kohor, kur ai vjen për të zhvendosur fatin e një populli, nga mjerimi në një ndriçim gjithëshoqëror.
Por, ky moment historik qëndron i varur vetëm pas kësaj pyetjeje:
A do të informohen shqiptarët nga politika amerikane, me kompetencë dhe autoritet njoftues, për të gjithë mënxyrën që shqiptarët kanë qenë të detyruar të kalojnë, si pasojë e korrupsionit çnjerëzor?
l.
Politika amerikane tani i ka të gjithë të korruptuarit e shtetit shqiptar të skeduar.
Publikimi i tyre, varet nga optika aktuale e politikës amerikane, por, e vetmja rrugë është nxjerrja në pahun e kohës e të gjithë krimit të madh antishqiptar që është bëre nga një bandë e madhe ogurzezë, kundër popullit shqiptar.
Dhe këta janë:
Vjedhës, injorantë, mjeranë, kërkues të pamendtë të asgjësë, të pasur që në fakt kanë kapur hiçin, të gëzuar e të pafestë, të varfër me para që nuk i pranon qytetërimi perëndimor – dhe, më në fund: të kapur si vjedhës që do të hyjnë me radhë në tragjeditë familjare që i gatuan vetë. Kjo është aradha e korrupsionit të lartë shqiptar në 30 vjet histori antikombëtare.
ll.
Por kjo kohë tani, mbart me vete të vemen shpresë për një histori kthyese që po presin shqiptarët: goditjen e tyre, sepse korrupsioni i lartë në 30 vjet qeverisje ka përbuzur shqiptarët me një urrejtje primitive, dhe, për faktin që këta të korrupruar kanë drejtuar gjithçka, ja çfarë kanë krijuar në Shqipëri:
Kanë sjellë varfërinë ekstreme të Shqipërisë;
Kanë krijuar me skemë të veçantë antishqiptare idenë që “ky vend nuk bëhet”, prandaj duhet ikur prej tij;
Kanë shkatërruar ekonominë me këtë qëllim;
Kanë shkatërruar arsimin;
Kanë stimuluar krimin dhe kanë krijuar partnereship me të;
I kanë dorëzuar shtetin krimit të organizuar;
Kanë shitur interesin kombëtar, sipas kërkesave të pushtuesve të territoreve shqiptare;
Kanë bashkëpunuar me Beogradin, Athinën dhe Moskën kundër interesit kombëtar;
Nuk kanë pranuar bombardimin e Serbisë dhe çlirimin e Kosovës.
Ja, kjo është e vërteta që mban brenda vetes kjo kohë.
Por shqiptarët po e duan me kërkesë ekspozimin real të kësaj kohe të trishtë që kanë kaluar – emër për emër, për keqbërësit e tyre .
Ata po presin…
/ Abcnews.al