Andres Iniesta i dha fund aventurës së mrekullueshme me Barcelonën verën e vitit të kaluar dhe u transferua në Japoni. Mesfushori firmosi deri në vitin 2021 me Vissel Kobe, ndërsa zërat e merkatos e lidhin me një transferim në Argjentinë.
Estudiantes e kërkon dhe po përpiqet të sigurojë shërbimet e spanjollit. Tifozët e klubit latin ëndërrojnë kalimin e Iniestës tek ekipi i tyre i zemrës, ndërsa presidenti i klubit sqaron gjithçka në një prononcim për Radio Rivadavia.
“Kërkimi i Iniestës është diçka që njerëzit nuk do e harrojnë kurrë, pavarësisht nëse transferimi ndodh apo jo. Sot nuk mund të themi që ekziston një tratativë, por e pranoj që po bisedojmë me të“, thekson Juan Sebastian Veron, ish-mesfushori i njohur argjentinas tani në rolin e kreut të klubit.
Estudiantes ka arritur akordin me Javier Mascheranon, një përforcim fantastik sipas Veron. Trajneri i ekipit është Gabriel Milito. Si Mascherano dhe Milito, kanë luajtur me Iniestën te Barcelona dhe po bëjnë maksimumin për të bindur 35-vjeçarin të provojë emocionet e futbollit amerikano-latin. /abcnews.al